Neymar ka njoftuar se ka përgatitur dhe është gati të nisë karrierën e tij të re si muzikant këtë javë, duke dhënë kështu sinjalet se ylli i Barcelonës po mendon dhe po planifikon jetën e tij pas futbollit. Braziliani, i freskët pas fitores së medaljes së artë në Lojrat Olimpike “Rio 2016”, e nisi lojën si zëvendësues për ekipin blaugrana, teksa ishte në stol në ndeshjen ndaj debutuesve të La Ligas, Alaves, në disfatën që Barça pësoi në shtëpi me rezultatin 2-1. Me siguri, më shumë se faktin që e nisi ndeshjen si zëvendësues, apo për humbjen e pësuar, Neymar dukshëm ka patur në mendje tjetër gjë. Lajmi u njoftua nëpërmjet llogarisë së tij personale në “Twitter” dhe sipas gazetës spanjolle “AS”, 24-vjeçari Neymar do të publikojë serinë e tij të parë të këngëve këtë të mërkurë, duke dëshmuar se përveç karrierës së tij si yll në futboll, sulmuesi ka bërë planet dhe përgatitjet për këtë gjë prej disa kohë tashmë. Neymar ka njoftuar 25 milionë ndjekësit e tij për këtë aventurë të tij të re dhe sipas të gjitha gjasave mund të presim që meloditë e tij të publikohen nëpërmjet llogarisë së “Facebook”.