Ministria e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë organizoi në Shtëpinë e Pushimit në Durrës, kampin e fëmijëve në situatë rruge. Rreth 40 fëmijë të evidentuar si fëmijë në situatë rruge, janë evidentuar dhe kontaktuar nga njësitë për mbrojtjen e fëmijëve, duke punuar në mënyrë të njëkohshme edhe me prindërit e tyre për punësim. Përgjatë një jave, këta fëmijë që detyrohen të lypin apo punojnë, kanë qenë pjesë e këtij kampi, ku jo vetëm janë argëtuar me lojëra të ndryshme, por është punuar edhe për parapërgatitjen e tyre për fillimin e shkollës.

Përgjatë kësaj periudhe janë kontaktuar prindërit e tyre, duke i asistuar dhe orientuar për të gjetur punë pranë zyrave  të punës, ndërsa sipas MMSR-së, disa nga prindërit e tyre janë punësuar.

Në aktivitetin përmbyllës të kampit të quajtur “Ishulli i thesarit”, ministri Klosi vuri theksin te përpjekja e madhe që po bëhet për zgjerimin e strukturave që merren me këta fëmijë, të detyruara tashmë të ngrihen me ligj edhe nga projektligji i sapomiratuar nga Qeveria Shqiptare “ Për mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve”.

“Sot që flasim janë 22 grupe pune që punojnë për 7 Bashki kryesore dhe për të gjithë Shqipërinë, e në sezonin e verës kemi evidentuar plot 985 raste të fëmijëve në situatë rruge. 435 prej tyre të administruara tashmë, të asistuar për të dalë nga situata e rrugës. Po ashtu kemi punuar me prindërit, nga 188 raste, 98 prej tyre sot janë të punësuar. Pra, ka shumë nevojë që ky aktivitet i cili ka vetëm një qëllim: rikthimin e fëmijëve ne bankat e shkollës, të zhvillohet jo vetëm këtë periudhë, por të jetë një punë e vazhdueshme partneriteti mes institucioneve shtetërore, bashkive dhe shoqërisë civile”.

Si drejtuesi i një prej bashkive me këtë problematikë të theksuar, Vangjush Dako, deklaroi se institucioni që ai drejton do të rrisë buxhetin për trajtimin e këtij fenomeni.

Në përmbyllje të kampit, fëmijëve që morën pjesë në këtë kamp iu dhuruan çantat dhe të gjitha mjetet e nevojshme për fillimin e shkollës.