Fadi Mitri, biznesmeni që u sulmua në rrugën e Rinasit, është një prej përfaqësuesve të miliarderëve të Katarit.

Ai është dhe administrator i kompanisë nga i njejti vend, “Omnix Albania”, e cila do të ndërtojë një resort gjigand me vlerë 180 milionë euro në Gjirin e Lalzit. Edhe sulmi ndaj tij dyshohet paraprakisht se ka lidhje me këtë investim që do të kryhet. Të paktën këto janë dyshimet e Policisë nisur nga ato ç’ka vetë sipërmarrësi i huaj ka deklaruar pas sulmit.

Sipas dëshmisë së tij, ata i kanë thënë: “Ik nga Shqipëria ose ndërprit punimet…” por një tjetër element që e përforcon më shumë këtë pistë të ngritur nga grupi hetimor, është një incident i ndodhur 5 vjet më parë në vendin e projektit.

Në vitin 2011, banorët e Gjirit të Lalzit protestuan për ndërtimin që do të kryhet aty duke prishur edhe rrethimin që ishte vendosur nga kompania në atë zonë. Për këtë arsye, mes 12 personave të shoqëruar nga Policia e Tiranës dhe e Durrësit si të dyshuar për ngjarjen janë dhe disa banorë nga Gjiri i Lalzit dhe fshatrat përreth.

Leja e ndërtimit për resortin 180 milionë eurosh të kompanisë nga Katari u miratua në mbledhjen e fundit të Këshillit Kombëtar të Territorit. Por burime zyrtare pranë Financave thanë se leja zhvillimore ishte miratuar nga qeveria Berisha. /Panorama