Mijëra besimtarë myslimanë në Durrës kanë nisur që në orët e para të mëngjesit faljen e madhe të Kurban Bajramit. Shkallët dhe xhamia janë mbushur plot me besimtarë të të gjitha moshave.
Pas faljes, besimtarët myslimanë hanë drekën e Bajramit, festës që simbolizon prerjen e një kurbani dhe sevapin për më të varfrit. Më pas, të gjithë besimtarët e Durrësit kanë uruar njëri-tjetrin festën e Kurban Bajramit.
“Kurban Bajrami është festa e sakrificës, solidaritetit, humanizmit si dhe harmonisë, ku të gjithë festojmë këtë ditë të shënuar që na kujton vlerat më të mira që karakterizojnë njerëzimin, por edhe traditën e shkëlqyer të harmonisë fetare dhe njerëzore në qytetin tonë por edhe në të gjithë vendin”, tha imami i Durrësit.
Kjo festë e madhe e besimtarëve myslimanë në Durrës, të cilët përfaqësojnë rreth 70% të popullsisë, kremtohet edhe nga qytetarë të besimeve të tjera.
K.H.





