Me javën e parë të kampionatit që uli siparin me sfidën e Loro Boricit mes Vllaznisë dhe Kukësit që përfundoi në barazim 0-0, i treti barazim pa gola në raundin hapës, vëmendja shkon e gjitha te java e dytë e edicionit numër 78 të Kategorisë Superiore. Federata shqiptare e futbollit ka përcaktuar kalendarin kur do të luhen ndeshjet e këtij raundi. E ndarë në dy ditë mes të Dielës dhe të Hënës java e dytë e kampionatit do të startojë me sfidën e Selman Stërmasit mes Korabit debutues dhe kampionëve të Skënderbeut që do të luhet pa tifozë. Ky takim do të zhvillohet të Dielën në orën 13.00.Korcarët do të kërkojnë një tjetër sukses pas atij ndaj Flamurtarit ndërkohë që Korabi do të përpiqet të mos dalë pa pikë edhe pse përballë do të ketë skuadrën që ka bërë ligjin në futbollin shqiptar në 6 vitet e fundit. 3 orë më pas në 16.00 të së Dielës do të jetë momenti i Lacit dhe Tiranës. Kurbinasit që tashmë drejtohen nga braziliani Marcelo Troisi me një skuadër të ndryshuar tërësisht nga ajo e sezoneve të kaluara do të kërkojnë të shfrytëzojnë faktorin fushë përballë një Tirane që ende vuan në gjetjen e golit. Dita e Dielë do të mbyllet me sfidën e orës 19 që do të luhet në Vlorë mes Flamurtarit dhe Luftëtarit.Kuqezinjtë e Maganit hynë dukshëm të favorizuar në këtë përballje krahasuar me zikaltërit e Mladen Milinkovic, por për Flamurtarin marrja e tre pikëve të para në këtë sezon nuk do të jetë një mision i thjeshtë. Të Hënën do të luhen dy ndeshjet e fundit të javës së dytë. Në orën 16:00 në Zeqir Ymeri, Kukësi do të ketë si objektiv të arrijë fitoren e parë në këtë kampionat pasi do të presë në shtëpi Teutën. Java do të mbyllet me duelin e Elbasan Arenas mes Partizanit dhe Vllaznisë, takim që do të luhet në orën 19:00 të së Hënës. Sfidat mes të Kuqëve dhe shkodranëve gjithmonë kanë prodhuar emocione të mëdha në këto vitet e fundit, kështu që spektakli nuk do të mungojë as këtë herë.