Saimir Jaku, viktima që u ekzekutua sot në një lokal në Rrëshen, nuk është një emër i panjohur.

Ish-drejtori i Tensionit të Lartë për zonën e Veriut, në nëntor të vitit 2015, kandidoi për kryetar të Partisë Socialiste për Rrëshenin, në një garë me Nikolin Kaçorrin dhe Bardhok Pulajn.

Disa muaj më vonë, më 28 maj të këtij viti, emri i tij zë sërish vend në media. I sapoemëruar në detyrën e lartë në OSHEE, ish-kryeministri Sali Berisha e akuzon për pjesëmarrje në grupet e trafikut të drogës në Itali dhe i dënuar për këtë krim.

Një qytetar i shkruante Berishës se Jaku ishte pa arsimin përkatës, “me 8 klasë shkollë” dhe ishte emëruar në detyrë vetëm për arsyen e vetme se ishte mik i kryetarit të Bashkisë së Rrëshenit, Ndrec Dedës, ish-drejtor i policisë së Bashkisë së Tiranës, në kohën e Edi Ramës.

Jaku u shkarkua nga ky pozicion i lartë një javë më parë për arsye që s’janë bërë publike nga ata që e firmosën shkarkimin.

Paraditen e sotme ai u qëllua për vdekje me breshëri automatike teksa po konsumonte kafenë në një nga lokalet në qendër të Rrëshenit.

Dy persona të armatosur hynë në lokal dhe zbrazë breshëri mbi të, duke e lënë të vdekur në vend. Ndërsa një person tjetër që ishte në tavolinë me të, mbeti i plagosur.

Policia po heton mbi zbardhjen e krimit, ndërkohë që asnjë prej atentatorëve nuk është kapur.