Në prag të mbylljes së fushatës për zgjedhjet për kryetar bashkie në Dibër, duke se gjakrat mes PD dhe PS janë nxehur. Burime nga Partia Socialiste bënë me dije se është dhunuar administratori i Komunës Tomin, Nuri Meda.
Të njëjtat burime pohuan se ngjarja ka ndodhur në fshatin Pilaf, ndërsa sipas PS, pas kësaj fshihen militantë të PD-së. Sakaq, koordinatori i PS-së për Dibrën, Damian Gjiknuri reagoi duke e cilësuar këtë një ngjarje shumë të rëndë.
“Terrori që po ushtrojnë në Dibër prej një jave, me në krye deputetë të PD. Hordhitë e PD me Bashën po ushtrojnë terror. I bëj thirrje qytetarëve që të jenë të qetë, fitorja është e sigurt. Basha të tërheqë falangat e krimit që ka sjellë në Dibër. Po e shikojnë të gjithë që njerëzit që po ushtrojnë terror në Dibër janë të gjithë ata që kanë ardhur ta bëjnë këtë. Qytetarët Dibranë nuk e meritojnë të përdhunohen në shtëpinë e tyre ngas militantë që nuk kanë lidhje me Dibrën”, tha Gjiknuri.
Ndërkohë, Partia Demokratike për këtë ngjarje është shprehur se Meda, administratori i Tominit është kapur duke dhënë lekë në këmbim të votave pro PS-së. Në denoncimin e saj PD thotë se dy persona ishin në një makinë tip ‘BMW’ me targa AA909KH, dhe sipas tyre gjithçka ka ndodhur nën mbikqyerjen e një furgoni policie.
“Nuri Meda u kap duke dhënë lekë bashkë me Shefki Ademin. Furgoni i policisë i komisariatit Dibër me në krye Robert Aga. Nuri Meda dhe Robert Aga janë kallëzuar penalist”, thuhet në reagimin e PD-së. Sakaq, sipas burimeve nga prokuroria, ende nuk ka ndonjë kallëzim penal për ngjarjen.
Gazetarja Klodiana Lala, raportoi se “Meda është dërguar në spitalin e Peshkopisë për të marrë trajtim mjekësor. Ka dëmtime të rëndë në pjesën e fytyrës dhe në disa pjesë të trupit. Ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Bëhet fjalë për një debat të lindur mes dy grupeve të militantëve, dhe më pas është pasuar me goditjen fizike”. Ndërkaq, policia po identifikon personat e përfshirë në këtë ngjarje, dhe po punon për kapjen e tyre.
Po ashtu, PD ka lëshuar akuza edhe për një tjetër rast për tentativë për blerje votash në fshatin Allabegaj. Sipas selisë blu, djali i kryeplakut Petrit Beçaj, Urim Beçaj u kap duke dhënë para në këmbim të votave për kandidatin e majtë, Muharrem Rama, i cili garon përballë Sherefedin Shehut, nga kampi i PD-së. Zgjedhjet për kryetar Bashkie në Dibër do të mbahen këtë të diel.
PD DENONCON NJE TJETER RAST TE BLERJES SE VOTAVE NE SLLOVE
Ndërkaq, PD denoncoi një tjetër rast të blerjes së votave në fshatin Sllovë. Sipas opozitës, drejtori i shkollës 9-vjeçare të këtij fshati është kapur duke dhënë para.
“Drejtori Xhezair Fejza ishte bashkë me Astrit Sulejmanin. Qamil Lata shpërndante para tek shkolla bujqësore”, shton PD.
PS DENONCON: JA KUSH ËSHTË NJËRI NGA MILITANTET E PD QË DHUNUAN MEDËN
Sipas degës së Partisë Socialsite në Dibër, një nga personat e përfshirë në ushtrimin e dhunës ndaj administratorit të njësisë administrative Tomin, Nuri Meda, është militanti i PD, Dritan Selishta. Ndërkaq, PS Dibër ka publikuar edhe foton e Selishtës.

REAGON SHTABI
Shtabi Elektoral i kandidatit të koalicionit “Aleanca për Shqipërinë Europiane” Muharem Rama denoncon ngjarjen e ndodhur mbrëmjen e sotme në fshatin Pilafe. “Militantë të Partisë Demokratike kanë dhunuar barbarisht administratorin e komunës Tomin, 56 vjeçarin Nuri Meda në një kohë kur ai ishte në kryerje të detyrës së tij. Meda ndodhet aktualisht në Spitalin e Dibrës në gjendje të rëndë. Dhunimi është kryer në kohën kur disa eksponentë të Partisë Demokratike me në krye Dritan Selishtën dhe grupin e koordinuar nga Agron Kuliçi ishin në veprim duke shpërndarë para për të blerë vota. Të kapur në flagrancë ata kanë goditur barbarisht administratorin e komunës Tomin. Ky akt dhune vjen në vazhdën e presioneve dhe shantazheve që deputetët e Partisë Demokratike, militantët e saj dhe deri kryetari i kësaj force politike Lulzim Basha po ushtrojnë prej dy javësh në të gjitha njësitë administrative të Bashkisë Dibër.”, citohet në reagim.





