Gjashtë minorenë të pashoqëruar që ndodhesin në qytetin e Piacencës në Itali, kanë mbërritur dje rreth drekës, me microbuz, në selinë e Konsullatës shqiptare në Milano.

Minorenët i shoqëronte këshilltari për çështjet sociale e familjen në bashkinë e Piacencës z. Stefano Cugini.

“Nuk kemi më vende për t’i mbajtur e po i dorëzoj pranë Konsullatës shqiptare për t’i kthyer në vendin e tyre të origjinës”, ka deklaruar funksionari i Bashkisë së Piacencës.

Së bashku me pasaportat e tyre 6 minorenët shqiptarë kanë populluar korridoret e Konsullatës shqiptare në Milano në pritje të fatit të tyre.

Kanë qenë momente tensioni, mes autoriteteve të konsullatës shqiptare e këshilltarit të bashkisë së Piacencës, ankesa e të qara nga ana e minorenëve shqiptarë, fakt që ka kërkuar dhe ndërhyrjen e policisë së qytetit të Milanos, por dhe të DIGOS, repartit të forcave speciale të qytetit për të qetësuar një situatë delikate që ka të bëjë me minorenët e pashoqëruar.

Një javë më parë, Stefano Cugini i ka kërkuar në konsullatën shqiptare në Milano rikthimin në Shqipëri të një minoreni 17 vjeçar shqiptar me emrin Ciko, të cilin babai i tij e kishte shoqëruar nga Shqipëria në Itali.

Pas kësaj ngjarje e brenda vetëm një jave, 5 minorenë të tjerë të pashoqëruar shqiptarë kanë mbërritur në qytetin e Piacencës. Fluksi nuk është ndaluar e sipas këshilltarit të bashkisë së Piacencës “ky fakt e ka detyruar të nisë të gjithë minorenët shqiptarë të pashoqëruar që kanë mbërritur gjatë ditëve të fundit në këtë qytet drejt konsullatës shqiptare në Milano, me kërkesën e riatdhesimit të tyre.”

Në profilet zyrtare të tij në rrjetet sociale Stefano Cugini, proteston duke shkruar se “bëhet fjalë për të mbrojtur me dhëmbë të drejtën e mikpritjes me dinjitet, efikasitet e aftësi, çdokënd që ka vërtetë nevojë. Është  në lojë përdorimi korrekt i parave publike, para që duhen impenjuar sa më mirë . Është një betejë etike për këdo që ul kokën para padrejtësive e në këtë rast para një ligji që na bën të jemi fajtorë.”

Po në rrjetet sociale funksionari i bashkisë së Piacencës publikon fotografinë me konsullen shqiptare në Milano e cila mban në duar pasaportat e 6 minorenëve shqiptarë.

“Zonja në fotografi, shkruan këshilltari bashkiak është Konsullja e Shqipërisë në Milano. Mban në duart pashaportat e 6 minorenëve shqiptarë. Ky është demonstrimi dokumentar që i dorëzova në tokën shqiptare e në duart e funksionarit më të lartë diplomatik, shtetasit minorenë shqiptarë, që i përkasin një shteti sovran e që janë braktisur në Itali  nga prindërit e tyre. “

“Rezultati?-thotë ai -“Zero përgjegjësi, e tentativa të vazhdueshme të konsulles për të më kthyer pasaportat mbrapsht si dhe kërkesa e saj e mëshirshme për t’u ndihmuar nga ndërhyrja e Policisë italiane. Instrument i përdorur për t’u çliruar nga mbajtja e pasaportave si dhe nga minorenët. Nëse kjo nuk është e turpshme…”

Me ndërhyrjen e forcave italiane të rendit, 6 minorenët shqiptarë u rikthyen në qytetin e Piacencës shoqëruar nga këshilltari bashkiak Stefano Cugini.