Projekti më i ri që pritet të realizohet në Durrës, shkruante “DurrësLajm” më datë 30.8.2016, është një tunel, i cili me kalim nëntokësor që do të nisë në zonën e Muzeumit të Dëshmorëve, do të lidhe qendrën e qytetit të Durrësit me bregdetin e Currilave. Një projekt i guximshëm, e bashkëkohor, që tregon se edhe në Durrës ka ardhur koha që të projektohen dhe të ndërtohen vepra të tilla.
Ky kalim nëntokësor është i nevojshëm për Durrësin dhe qytetarët durrsakë, sepse do të lehtësojë lëvizjen në qytet në dy kahet, duke mbyllur një unazë të zonës së vjetër të Durrësit.
Iniciativa e Bashkisë Durrës është për t’u përshëndetur dhe përgëzuar.
Thënë këtë, nuk duhet të harrojmë se Durrësi është një qytet mijëra vjeçar, dhe si në çdo zonë të tij ku ndërtohet një objekt i ri, duhet pasur parasysh dhe mbrojtur nëntoka dhe arkeologjia e qytetit.
Për këtë qëllim, firmës projektuese e më gjerë qytetarëve durrsakë, i vë në dispozicion një fotografi ajrore të zonës të vitit 1928, te IGM Firenze, në të cilën duken qartë rrënojat e një vendbanimi të hershëm. Bëhet fjalë në zonën pranë Muzeumit të Dëshmorëve për një Vilë Qytetase me përmasa të mëdha nga më prestigjiozet të qytetit antik, në vazhdim të zonës së Forumit Publik të zejtarisë qytetase të zbuluar pranë ish-lulishtes “1 Maji”. Fotoja ajrore përmbledh pastaj të gjithë zonën e ashtuquajtur B të arkeologjisë së qytetit.
.jpg)
(Durrësi i fotografuar nga lart në vitin 1928, zona arkelogjike B)
Si edhe mund të dallohet me sy të lirë nga kjo foto ajrore, Zona arkeologjike B nuk është më pak e rëndësishme se zona A. Mungesa e ndërtimeve në këtë zonë në fund vitet 1920, bën që sitet e mundshme arkeologjike të jenë të dukshme, dhe nuk ka nevojë për interpretimin e ekspertëve. Kuptohet arkeologët dhe Ministria e Kulturës duhet të marrin vendimet përkatëse.
Jepet kjo foto-ajrore e IGM Firenze në mënyrë që firma projektuese dhe ajo zbatuese të ruajnë vendbanimin e vjetër. U takon atyre, Bashkisë Durrës si dhe “grupit të gatshëm” të arkeologëve dhe restauratorëve të caktuar për ruajtjen e arkeologjisë së Durrësit pranë Muzeumit Arkeologjik Durrës, të bëjnë atë që duhet që një projekt i tillë me zhvendosje të mëdha të shtresave dhe të masiveve, të mos dëmtojë atë shtresë të hollë dhe delikate, dëshmi e qytetërimit mijëravjeçar që fle e qetë dhe e patrazuar në 1-2 m thellësi.
Muzeumi i Dëshmorëve i parashikuar nga Gerardo Bosio, në projekt-planin rregullues të qytetit të vitit 1940, konfirmuar nga Carmignani në planin zyrtar rregullues policentrik të Durrësit të vitit 1942, ndërtuar në fazën e parë nga italianët për të rënët e tyre, rikonstruktuar dhe përshtatur me mjeshtëri nga arkitekt Kristo Sotiri, për dëshmorët tanë dhe si muze i luftës, përbën varrezën e parë murale dhe monumentale në Shqipëri, konceptuar si “Vittoriano” i Shqipërisë është një nga monumentet më të shkëlqyera të arkitekturës së qytetit. Natyrshëm ky monument duhet ruajtur në afërsitë e tij nga elementet agresive dekadente e të shëmtuara të grykëdaljes së një tuneli urban, nevoja e padiskutueshme e të cilit na kërkon një zgjidhje të re e mjeshtërore e arkitektonike.
Ndoshta do të ishte e nevojshme që Bashkia Durrës të shtyjë afatin 30-ditor për firmën projektuese në mënyrë që me një konkurs të çelet mundësia e gjithëpërfshirjes së kontributeve të njerëzve më të mirë, arkitektëve më të zotë për të arritur në një zgjidhje të qëlluar.
Zgjidhja e drejtë e këtij viadotti urban nëntokësor do të kujtohej pastaj si një nga punët e mira të Bashkisë Durrës dhe të z.Vangjush Dako.
Nga Kristaq Xhimitiku
.jpg)
(Muzeu i Dëshmorëve)






