Nga Stela Likmeta

Është një nga ligjvënëset më të reja në moshë të Parlamentit shqiptar dhe ka vetëm dy vjet që ka marrë këtë funksion të rëndësishëm, por dëshira e kahershme dhe qëllimi i saj parësor për t’u shërbyer qytetarëve, e dallojnë si një ndër deputetet më aktive, që gjendet kudo ku ka një takim bamirësie për të ndihmuar të gjitha shtresat në nevojë.

Nuk parapëlqen që evenimentet e bamirësisë që ajo vetë organizon, t’i reklamojë duke i pasqyruar mediatikisht, pasi siç shprehet dhe ajo vetë, mjafton që çdo gjë është bërë me zemër dhe misioni që e ka shpënë në marrjen e kësaj detyre madhore, të përmbushet.

Kjo është deputetja socialiste e qarkut të Durrësit, Esmeralda Shkjau, ose Esi, siç preferon t’i thërrasin të gjithë, kryefjala e së cilës në këtë intervistë për “DurrësLajm”, ishte mirëqenia e qytetarit durrsak dhe shqiptar.

Anëtarësimi më i fundit i 1500 të rinjve në familjen socialiste, për Shkjaun është një lajm shumë i mirë, pasi vetëm nëpërmjet angazhimit politik, bëhet i mundur përmirësimi i realitetit të këtij vendi. Por, ndërkohë që shumë të rinj iu bashkuan radhës së socialistëve me shpresën se “ky vend bëhet”, ka ende qindra të tjerë që duan të largohen një orë e më parë dhe ndërkohë qindra të tjerë kanë pushtuar dyert e Europës për të kërkuar azil. Për këtë fenomen të trishtë që ka kapluar Shqipërinë vitin e fundit, deputetja e Durrësit thotë që fatkeqësisht është evident, dhe nuk mund ta zgjidhësh me një shkop magjik duke bërë mrekullinë, por në sajë të reformave që qeveria ka ndërmarrë në arsim, dhe reformës më të rëndësishme që pritet të bëhet në Drejtësi, qytetarit të Shqipërisë do t’i ofrohet stabiliteti i munguar.

Fokusi i qeverisë janë të rinjtë, çka vërehet më së miri sipas Shkjaut, edhe në radhët e policisë shqiptare, ku së fundmi sheh një numër të madh të rinjsh e të rejash në sektorë të ndryshëm të policisë së shtetit. “Unë vetë kam marrë një gjobë në Durrës për parkim të gabuar. Pavarësisht funksionit tim, unë u gjobita dhe e pagova gjobën. Para ligjit jemi të gjithë njësoj”, na tregon deputetja e Durrësit, teksa shton se është pikërisht reforma e Drejtësisë, pika kyçe e cila do t’u ofrojë shqiptarëve drejtësinë e munguar.

Deputetja socialiste nuk ka ngurruar t’i përgjigjet edhe pyetjes që po gumëzhin së fundmi në media e në radhët e politikës, a duhet të zhvillohen zgjedhje të brendshme brenda partisë më të madhe politike për të zgjedhur kryetarin e saj. Sipas Shkjaut, 1 milion votat ishin më se të mjaftueshme që lideri i qeverisë dhe njëherësh kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, të konfirmohej dhe të ishte në drejtimin e kësaj partie.

Ky debat, për Shkjaun ka pasur vetëm një bumerang të madh mediatik dhe asgjë tjetër. E pyetur se kë do të votonte në rast se gjithmonë do të zhvillohet një garë, deputetja e Durrësit pohon se ajo së bashku me kolegët e saj nuk janë të shqetësuar se kë duhet të mbështesin, pasi prioritarë për ta mbeten qytetarët dhe përmbushja e reformave të cilat do e çojnë Shqipërinë drejt BE-së.

Ndiqni intervistën e plotë në videon e mëposhtme, ku ndër të tjera, deputetja flet për një ndër politikanët më të rinj Eduart Ndocajn, një personazh shumë mediatik që mediat e duan sipas deputetes; vlerësimin që ka për deputeten demokrate dhe njëherësh kryetaren e Komisionit të Integrimit Evropian Majlinda Bregun; emocionet e jashtëzakonshme gjatë përvojës së saj në një emision radiofonik në Gjermani si dhe në fund një mesazh për të gjithë ndjekësit e portalit “DurrësLajm”.