Biznesi ka dorëzuar zyrtarisht pranë Ministrisë së Financave propozimet për paketën fiskale 2017. Përveç uljes së taksave, Konfindustria dhe Shoqata e Eksportuesve kanë kërkuar përmirësimin e klimës së biznesit, nëpërmjet ndryshimit të disa neneve në ligjin “Për procedurat tatimore”, që nuk janë përfshirë në draftin e shpërndarë nga Ministria e Financave.
Përveç uljes së taksave, kërkesat e biznesit dërguar qeverisë për paketën fiskale 2017, konsistojnë në përmirësimin e klimës së biznesit dhe veçanërisht marrëdhënies me administratën fiskale.
Konfindustria njofton se i ka paraqitur zyrtarisht pranë Ministrisë së Financave kërkesat e saj, duke theksuar se ekonomia shqiptare ka nevojë për ndryshime thelbësore në mënyrë të njëkohshme në tre shtylla kryesore: politikat fiskale, ku kërkohet ulje e tatimit mbi fitimin dhe dividentit; proçedurat tatimore, ku pavarësisht se vlerësohen ndryshimet e bëra nga qeveria në ligjin e ri, konsidreohet se janë të pamjaftueshme për zhvillim ekonomik të qëndrueshëm dhe përmirësimin e mjedisit të biznesit.
Konfindustria thekson se politikat fiskale të viteve të fundit kanë prodhuar pasoja të padëshirueshme për ekonominë vendore, ndaj kërkohen ndërhyrje të thella.
Ndërkaq edhe Shoqata e Eksportuesve ka dorëzuar zyrtarisht propozimet për paketën fiskale, të grupuara në tre anekse:
Në aneksin e parë dhe të dytin kërkohen ndryshime në ligjin “për proçedurat tatimore”, për nene për të cilat nuk janë parashikuar ndryshime në draftin e shpërndarë nga Ministria e Financave.
Ndërsa në aneksin e tretë janë grupuar propozimet e tjera që ndikojnë në lehtësimin dhe përmirësimin e klimës së biznesit dhe formalizimin e ekonomisë.
Pjesë e kërkesave të tjera të biznesit është edhe ulja e rentës minerare dhe TVSH-së së turizmit, dy lehtësi për të cilat Ministria e Financave është duke diskutuar edhe me misionin e FMN-së, që ndodhet në Tiranë.





