Pas rastit shokues të dhunës në  kopshtin privat, ka reaguar edhe Delina Fico, aktiviste e shoqërisë civile, njëherazi bashkëshorte e ministrit Bledi Çuci. “Duke sharë tërë ditën të tjerët dhe Shqipërine, bëhet vetëm një vrimë e madhe në ujë”, shprehet ajo.

Komenti i plotë i Ficos

“Më fal, bir, që të rrita në këtë vend”, shkruante njëri. Vërtet???? Po  ç’është more kjo urrejtje ndaj Shqipërisë?

Pse e gjithë bota do të jetojë vetëm në vendet e Bashkimit Europian, SHBA dhe Kanada – se përveç këtyre tri hapësirave, të gjitha vendet e botës kanë të njëjtat probleme që ka Shqipëria, së paku, pas vitit 1997, madje edhe më keq.

A duhet ta bëj një listë? A ta nis nga Lindja e Mesme apo Afrika e Veriut? Nga Serbia apo Greqia (kjo e fundit është edhe në BE)? Të protestosh ndaj padrejtësive, të kërkosh llogari nga qeveria dhe politikanët në përgjithësi, të luftosh për ta përmbysur qeverinë përmes votës, të kërkosh më shumë nga jeta dhe shteti, janë të gjitha në rregull, por s’ka përse që çdo hall që vëmë re, të na shtyjë të themi se këto halle janë vetëm në Shqipëri e duhet të varim të gjithë një gur në qafë dhe të mbytemi ose të emigrojmë në BE, SHBA, ose Kanada.

Po sikur të themi më shumë: Ç’mund të bëj unë që Shqipëria e fëmijëve tanë të jetë më e mirë se kjo që jetojmë ne? U turrën të gjithë kundër Anjezës e mirë bënë, por rasti i saj është tipikisht rasti i paaftësisë se çdonjërit nga ne për të marrë përgjegjësi personale.

Kur ishte gazetare, denonconte të keqen që bënin të tjerët. Kur kishte vetë përgjegjësi në dorë për edukimin e fëmijeve, i zhdepte në dru.

“Bëni si them unë, por mos bëni si bëj unë” – kjo është ajo që praktikojmë shpesh ne shqiptarët, nga më i madhi deri tek më i vogli. Kur të mos e jetojmë më jetën dhe angazhimin tonë qytetar në këtë mënyrë, bëhet më e mirë Shqipëria. Duke sharë tërë ditën të tjerët e Shqipërinë, bëhet vetëm një vrimë e madhe në ujë.

Dhe villet vrer që nuk i bën mirë askujt, as atij që e vjell. Shqipëria nuk është e politikanëve. Shqipëria është e jona dhe e atyre më të mirëve prej nesh që nuk vjellin vrer tërë ditën, por punojnë, prodhojnë, krijojnë, ndihmojnë të tjerët, nuk bëjnë ndërtime e biznese pa leje dhe i duan plotë gjërat e mira që ka ky vend”.