Pas videos shokuese të publikuar mbrëmjen e djeshme, ku pronarja e kopshtit privat “Diren: rrihte barbarisht një 3-vjeçar, deputetja e Partisë Demokratike, Majlinda Bregu ka reaguar në rrjetin social “Facebook” .

Bregu me anë të një mesazhi iu kundërpërgjigj Ministrisë së Arsimit në faqen e saj zyrtare, ndërsa tha se gjatë periudhës 16-21 mars të vitit të kaluar, u inspektuan 96 kopshte, nga të cilat rezultuan 77 të tillë pa leje. Ndërkohë, Bregu theksoi se 48 kopshte janë të regjistruar në QKR, duke shtuar se pjesa më e madhe e kopshteve nuk plotësojnë kushtet.

REAGIMI I PLOTË
Si vijon, është një pjesë e publikuar në faqen zyrtare të Inspektoriatit Shtetëror të Arsimit:
“Inspektimi tematik i institucioneve parashkollore private me qëllim vlerësimin e zbatimit të kritereve të ligjshmërisë në përputhje me aktet ligjore.
Gjatë periudhës 16-21.03.2015 ISHA inspektoi dhe monitoroi 96 institucioneve arsimore parashkollore private, në 11–të njësitë bashkiake të qytetit Tiranë, në lidhje me vlerësimin e zbatimit të kritereve të ligjshmërisë në veprimtarinë e tyre në përputhje me aktet ligjore.
Nga inspektimet e zhvilluara, rezultoi se:
– 77 KOPSHTE ofrojnë shërbimin arsimor të edukimit parashkollor PA LEJE të funksionimit në të gjithë territorin e Bashkisë Tiranë.
– Vetëm 20% (19) e kopshteve të inspektuara janë të licencuara.
– 48 kopshte janë të regjistruar në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit.
– 27% e kopshteve krahas shërbimit arsimor parashkollor ofrojnë edhe shërbimin e çerdhes.
– Numri i fëmijëve që frekuentojnë këto institucione parashkollore private është 2263, në grupe të përziera.
– Numri i mësuesve pranë këtyre kopshteve është 176 nga të cilët 35% me arsimin e lartë përkatës (20 mësues me diplomë Parashkollori dhe 41 mësues me diplomë Cikli i Ulët), 35% me arsimin e lartë jashtë profilit (63 mësues të degëve të ndryshme) dhe 30% me arsim të mesëm (20 mësues kanë mbaruar shkollën pedagogjike dhe 32 mësues kanë mbaruar gjimnazin). Vetëm në 17 kopshte u gjetën programet mësimore për grupmoshat 3-4, 4-5, 5-6, standardet e arritjes dhe ato të përmbajtjes për planifikimin e zbatimin e kurrikulës së parashkollorit. Në rastin më të mirë punohet me një program për të gjitha moshat.
– Pjesa më e madhe e kopështeve të monitoruara nuk kanë kushte të përshtatshme që mundësojnë sigurinë e jetës, shëndetin dhe ushqyerjen e fëmijëve. Ato janë krijuar në mjediset e shtëpive private, në katet e para e të dyta të pallateve. Nuk njihet e zbatohet rregullorja higjieno- sanitare për “Ndërtimin dhe funksionimin e kopshteve të fëmijëve”.
Grupet e inspektimit i vunë në dispozicion të gjithë administratorëve të institucioneve të arsimit parashkollor privat, në 11-të njësitë bashkiake të qytetit të Tiranës, udhëzimin Nr. 15, datë 12.07.2013 “Për procedurat e posaçme për shqyrtimin e kërkesave për licencë të institucioneve arsimore private dhe institucioneve arsimore plotësuese private”. Drejtuesit e kopshteve firmosën edhe procesverbalin e marrjes në dorëzim të këtij udhëzimi të MAS-it.
Në muajin nëntor grupet e ISHA-s riinspektuan 81 koëpshtet e mësipërme me qëllim verifikimin e zbatimit të rekomandimeve të lëna.
Grupet e ISHA-s, për 21 INSTITUCIONE të arsimit parashkollor privat që u gjetën të palicencuara dhanë dënimin administrativ me gjobë në vlerën “500 000 lekë”.
Kam 2 pyetje qe me lindin sikur vetem
Kaq të lexosh nga ky raport:
A- 77 kopshte paskan qenë pa licencë vetëm në territorin e Bashkisë Tiranë!
21 janë gjobitur!
Po me 56 kopshte te tjera ç’ bëhet?!?!?!
B- Në raport flitet për mungesë kushtesh, standartesh, mësues pa diplomë përkatëse, mungesë të shërbimit psiko-social etj.
A ka njeri të thotë ç ‘ndodh me kopshtet e licensuara dhe pa standartet e mësiperme?!
Kaq hë për hë, se për të bërtitur vend e pa vend jemi të parët, por kur duhet të zemë mend e të reagojme për problemet e vërteta, o na vjen ai “orari i gjumit” ose na ikën ai filli mallengjyes i frymëzimit politik!!!!