Skënderbeu nuk ishte me fat në shortin e turit të dytë paraeliminator të UEFA Champions League që u hodh në Nyon të Zvicrës. Nëse Kas do të pranojë apelimin e skuadrës korçare dhe do t’i japë drejtën Skënderbeut për të marrë pjesë në këtë kompeticion atëherë, kampionët e Shqipërisë do të sfidojnë në raundin e dytë kualifikues Champions-it, kampionen e Hungarisë, skuadrën e Fernecvarosit një prej kundërshtarëve më të vështirë të mundshëm që bënin pjesë në vazon e dytë.
Një short jo shumë i favorshëm për Skënderbeun gjithmonë nëse korcarët do të lirohen nga çdo akuzë e UEFA-s për trukimin e ndeshjeve, nga vendimi që do ta japë gjykata arbitrazhit sportiv mes datës 5 dhe 6 Korrik. Nëse kjo nuk ndodh dhe Kas lë në fuqi vendimin e UEFA-s për ta skualifikuar me një vit nga kompeticionet evropiane Skënderbeun, atëherë Fernecvaroshi do të kualifikohet automatikisht pa zbritur fare në fushë në raundin e tretë paraeliminator të UEFA Champions League.
Në renditjen e UEFA-s për klube Skënderbeu kishte një koeficient të lartë dhe në shortin e turit të dytë pozicionohej në vazon të ashquajturave skuadrave favorite, por ndryshe nga një vit më parë këtë herë fati nuk ishte me kampionët e Shqipërisë të cilët u shortuan me një prej kundërshtarëve më të vështirë të mundshëm nga vazo e dytë.
Fernecvarosi është skuadra më e lavdishme e futbollit hungarez pasi ka fituar në total 29 tituj kampion dhe 22 Kupa të Hungarisë. Pas një periudhe të vështirë financiare ata u rikthyen në majat e futbollit hungarez sezonin e kaluar. Fernecvarosi është një skuadër që ka në përbërje disa lojtarë që janë pjesë e përfaqësuese hungareze në Euro 2016, ku mbi të gjithë spikat mesfushori Zoltan Gera. Ata drejtohen nga trajneri gjerman Thomas Doll, dhe kanë shumë eksperiencë në kompeticionet evropiane edhe pse në vitet e fundit nuk pasur një ecuri shumë të mirë në pjesëmarrjet e tyre në Evropa League.
Pas Debrecenit, Skënderbeu do të përballet me një tjetër kundërshtar nga Hungaria në shortin e turit të dytë paraeliminator të Championsit. Ndeshja e parë mes Skënderbeut dhe Fernecvarosit nëse Kas pranon apelimin e klubit korçar do të luhet në datën 12 ose 13 Korrik në Korçë dhe ajo e kthimit një javë më pas.





