Policia e Gjirokastrës ka vënë në pranga një 28-vjeçar, pasi ka tentuar të vjedhë me dhunë në banesën e 2 të moshuarve. Sipas të dhënave Ndriçim Dervishaj, banues në Vlorë, ka hyrë në një banesë në fshatin Likomil, në Dropullin e Sipërm, me qëllim për të vjedhur. Në banesë ndodhej vetëm 71-vjeçarja me iniciale E.DH., pasi bashkëshorti i saj kishte shkuar me bagëti. I riu është futur në oborr dhe ka ushtruar dhunë mbi shtetasen E.DH. Sipas dëshmisë së gruas ai i ka mbyllur gojën me qëllim që ajo të mos bërtiste dhe të hapte banesën që ai të merrte paratë.

Në përpjekje e sipër, 71-vjeçarja ka mundur të kërkojë ndihmë duke bërtitur. Në këto kushte autori është larguar me vrap pa vjedhur gjë në banesë.

Kanë qenë banorët e fshatit ata që kanë lajmëruar Stacionin e Policisë Dropull, ku falë reagimit në kohë të efektivëve është bërë e mundur që pas 45 minutash, të ndalohet dhe të arrestohet në flagrancë 28-vjeçari rreth dy kilometra larg vendngjarjes.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për veprën penale “Vjedhje me dhunë e mbetur në tentativë”.