Partizani / Partizani do të përballet me Sllovan Bratislavën në turin e parë kualifikues në Europa League, një short aspak i thjeshtë, kundër një emri të madh të futbollit sllovak.

Sllovani e mbylli i dyti sezonin e shkuar në Sllovaki, ndërsa në dy sezonet e fundit ka shkëlqyer në kupat e Europës, duke mbërritur në grupe para dy vitesh, pasi shkoi deri në play-off në Champions League. Edhe vjet Sllovani eci mjaft mirë në Europa League, duke shkuar deri në turin e tretë, ku u ndal nga rusët e FK Krasnodarit. Ndeshja e vajtjes do të luhet më 30 qershor në Shqipëri dhe kthimi më 7 korrik.

Kukësi / Kukësi do të ndeshet me malazezët e Rudar Plevljas në turin e parë kualifikues në Europa League. Edhe një vit më parë Kukësi u ndesh me një rival nga Mali i Zi, Mlladostin, të cilin e eliminoi duke humbur në Tiranë e duke fituar kthimin në Podgoricë. Rudar Plevlja fitoi Kupën e Malit të Zi sezonin e fundit dhe doli i treti, ndërsa vjet fitoi titullin dhe u eliminua nga Karabaku që në turin e parë. Ndeshja e vajtjes do të luhet më 30 qershor në Elbasan dhe kthimi më 7 korrik.

Shkëndija/Ekipi i Shkëndijës së Tetovës, sot e ka mësuar kundërshtarin e saj në kualifikimet për Europa League, short që është tërhequr para disa çastesh. Shorti është hedhur në Nyon të Zvicrës, kurse Shkëndija do të luaj kundër ekipit të Krakovit të Polonisë. Ndeshja e parë do të luhet më 30 qershor, në Shkup, ndërsa loja e kthimit do to luhet më 7 korrik në Krakov.