Shqipëria e mbylli me një fitore grupin A të ligës evropiane në volejboll për femra. Vajzat e drejtuara nga trajneri Altin Martiri mposhtën në ndeshjen e fundit në grup, përfaqësuesen e Bjellorusisë në pallatin e sportit Ramazan Njala të Durrësit, 3-2 me sete.
Kjo ishte fitorja e dytë në 3 ditë për Shqipërinë që përpara publikut të saj nuk zhgënjeu duke marrë një fitore të madhe me përmbysje. Suksesin e kombëtares e ka ndjekur edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako që shoqërohej nga presidenti i federatës së volejbollit Erlind Pëllumbi.
Gjithsesi suksesi nuk u mjaftoi vajzave kuqezi për të kualifikuar për më tej sepse, Shqipëria e mbylli grupin A në vendin e fundit në kuotën e 5 pikëve, teksa regjistroi në total 2 fitore dhe 4 humbje. Në ndeshjet e zhvilluara në pallatin e sportit Ramazan Njala të Durrësit bilanci ishte pozitiv për vajzat shqiptare që regjistruan dy fitore dhe vetëm një humbje atë ndaj Sllovakisë.
Për meritë edhe të dyshes Erblira Bici-Prenga, Shqipëria ja doli të kthente rezultatin në favor edhe pse nuk e nisi mirë sfidën. Seti i parë u fitua nga bjelloruset me shifrat 25-22. Me të njëjtin rezultat, vajzat e trajnerit Altin Martiri fituan setin e dytë. Por Shqipëria nuk pati forcë në setin e tretë të cilin e humbi me shifrat 25-17 përpara se vajzat kuqezi të regonin fuqishëm në dy setet e fundit. Me rezultatin e ngushtë 27-25 Shqipëria fitoi setin e 4-t, ndërkohë që seti final u dominua nga vajzat tona të cilat imponuan ritmin e tyre ndaj rivalive bjelloruse duke triumfuar me shifrat 15-9, për të fituar gjithë ndeshjen 3-2. Erblira Bici ishte pikëshënuesja më e mirë e ndeshjes me 25 pikë të realizuara në total e ndjekur nga Prenga me 23.





