Mëngjesin e së martës më 10 mars 2015 policia franceze dëboi 20 klandestinë shqiptarë me avion për në Rinas. Shqiptarët ishin në qendrën e pritje së Coquelles afër qytetit port të Pa Dë Kalesë, në Ngushticën e La Manshit, që ndan Francën nga Anglia.
Shqiptarët e dëbuar ishin kapur duke hipur në kamionë apo në vagonat e trenit që kalon nëpër tunelin e La Manshit, me qëllim për të hyrë në Angli ilegalisht.Të njëzet shqiptarët e dëbuar u transportuan nga qendra e pritjes për në aeroport me tre furgonë të shoqëruar nga agjentët francezë me uniformë dhe civilë.
Ata u detyruan të hipnin në një avion të Sigurimit Civil (Securite Civile), mjet në pronësi të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Francës. Pas imbarkimit avioni u nis nga aeroporti i Marck-ut afër qytetit të Pa Dë Kalesë për në aeroportin e Rinasit. Refugjatët shqiptarë u shoqëruan nga 30 policë francezë, të cilët udhëtuan bashkë me shqiptarët deri në Rinas.
Sipas burimeve të Ministrisë së Punëve të Brendshme Franceze, ky është dëbimi i dytë i shqiptarëve me aeroplan pas atij të kryer në dhjetor 2014.
Ndërkohë, nga pala shqiptare nuk ka pasur asnjë njoftim për këtë rast dëbimi masiv.





