11Mars2015 – Në Manzë do të nisë ndërtimi i landfillit të Durrësit. Mbeturinat urbane dhe inertet të qytetit më të madh në vend pas Tiranës do të groposen në të ardhmen, në territorin e Manzës. Ministria e Mjedisit duket se i ka dhënë fund fenomenit të djegies së tyre në ambiente të hapura, siç ka ndodhur deri tani.

Ndonëse nuk është bërë ende publike, nga burime të kësaj ministrie mësohet se leja për ndërtimin e vendit për grumbullimin dhe përpunimin e mbetjeve, i është dhënë dy kompanive, firmës italiane Kinexia dhe asaj shqiptare (Albania Landfill Energia).

Tenderi u hap në nëntor të vitit 2014 dhe pak ditë më parë u shpallën fitueset, të cilat do të menaxhojnë për 30 vite me koncension landfillin në Manzë.

Pritet që ndërtimi të nisë në vitin 2016 dhe do të përpunohen 1.9 milionë tonelata mbeturinave, me çmimin grumbullimi prej 3747.68 lekë për ton.

Pagesat do t’i kryejë çdo institucion vendor që do të lidhë marrëveshje me firmën.

Prej vitesh, Durrësi i grumbullon mbetjet në zonën e Porto-Romanos, duke bërë djegien e tyre në ambient të hapur.