DURRËS, 10 mars 2014 – Sikurse është njoftuar, të martën, më 10 mars 2015, gjykata e qytetit bregdetar ka lënë në burg deri në përfundim të hetimeve ish-drejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës (APD) Eduart Ndreu dhe ish-drejtorin inxhinierik Mehmet Borshi. Nuk ka marrë pjesë në seancën gjyqësore për rivlerësimin e masës së sigurisë asnjë prej dy të arrestuarve tri ditë më parë. Ata u përfaqësua nga avokati Ilir Pengili. Drejtuesi i seancës Rexhep Bekteshi, ashtu sikundër në 7 mars 2015, edhe këtë radhë vendosi të lërë në burg dy të arrestuarit.
KUOTAT
Prokurori Dritan Gina ka replikuar ashpër me mbrojtësin, në disa raste. Si prova shtesë organi i akuzës ka sjellë disa fakte të reja ndaj dy ish-zyrtarëve të lartë. Në datë 1 korrik 2014 ka nisur hetimi ndaj dy ish-zyrtarëve për shpërdorim detyre e shkelje të barazisë në tenderë e ankande publike. Sipas Prokurorisë, e cila i referohet Qendrës Kombëtare të Regjistrimit (QKR), më 16 prill 2012, Aleksandër Gavoçi ka krijuar firmën “EMC” (Engineering Maintenance Center) shpk, me seli në fshati Vrin, Rruga “Vath Turja”, komuna Rrashbull. Më 7 tetor 2013, u bë shitja e kuotave në masën 100% të zotëruara në favor të Valentina Ndreut. Më 27 mars 2014, u bë shitja e 100% të kuotave të kapitalit të Valentina Ndreut, duke transferuar nga 25% të kuotave në favor të Eduard Ndreut, Agron Çopjes, Halisa Durros dhe Mehmet Borshit.
OBJEKTI I VEPRIMTARISË i EMC SHPK
Shërbime inxhinierike në fushën e transportit, industrisë së prodhimit dhe ndërtimit; shërbime inxhinierike për projekte, konceptime dhe dizenjo paraprake, dizenjim dhe projektim, konstruksione, manuale operimi, instruktime mirëmbajtje dhe riparime të mjeteve me motor dhe rimorkio për transportin rrugor të mallrave dhe udhëtarëve, mjeteve teknologjike dhe impianteve industriale dhe portuale; mirëmbajtje dhe riparime të kontejnerëve të të gjitha llojeve; konsulencë portuale dhe detare mbi inxhinierinë, menaxhimin, programimin dhe zhvillimin; ushtrim i veprimtarive dhe shërbimeve portuale; logjistik dhe qendra logjistike, port, transport, studime transporti; shërbime dhe projekte, projekt management, studime fizibiliteti, analiza dhe certifikime, ekspertizë, leje aplikimi, dizenjim detaje, tender dhe asistencë prokurimi, monitorime, supervizim dhe mbikëqyrje, programim;import eksport te mallrave industriale, automjete dhe pjesë këmbimi.
PROKURORI DHE AVOKATI
Akuza bëri të ditur:
“Nga tabulatet telefonike, rezulton se Ndreu ka njohje me shtetasen 70-vjeçare Valentina Ndreu dhe se kanë udhëtuar disa herë së bashku jashtë shtetit. Për këtë kërkoj të vijojë masa e sigurisë arrest në burg, në bazë të nenit 228 të Kodit të procedurës penale pika 3”.
Repikë ka bërë dhe avokati Ilir Pengili:
“Hetimi ka nisur 8 muaj më parë, Ndreu dhe Borshi nuk janë thirrur asnjë herë për të dhënë sqarime në prokurori. Kanë qenë dy prokurorë të mëparshëm që kanë zhvilluar hetimet, por asnjë prej tyre nuk i ka thirrur për të dëshmuar. Ata janë njerëz të nderuar e të respektuar në qytet. Nuk ka asnjë rrezik sepse ata nuk mund të prishin provat hetimore apo të largohen nga vendi. Për më tepër që kemi të bëjmë me personalitet të larta të qytetit. Kërkesa e prokurorisë për të të qëndruar në masën shtrënguese arrest me burg është e nxituar. Për sa i përket Borshit, ai është i sëmurë e për këtë kam një sërë dokumentesh, ku vërtetohet që vuan nga sëmundje kardiake dhe është mbi 60 vjeç. Prandaj kërkoj masë të ndryshme nga ajo e marrë në 7 mars nga ju, i nderuar gjykatës”.
Sfondi
“Dyrrah”-u ka botuar tre shkrime: më 5 nëntor 2012 (shih faksimilen e gazetës në print), 2 shtator 2013 (http://www.durreslajm.com/speciale/klsh-terminali-i-trageteve-projekti-150-mij%C3%AB-euro-mbi-kosto), 13 janar 2014 (http://www.durreslajm.com/investigim/zhvatje-shqiptar%C3%ABsh-me-bekim-gjerman-belg) mbi Terminalin e Trageteve ku denoncohet cilësia e dobët gjatë ndërtimit. Madje Kontrolli i Lartë i Shtetit ka njoftuar se janë certifikuar punime të pakryera dhe përfituar padrejtësisht nga zbatuesi i punimeve “VEGA” me administrator Aleksandër Gavoçi, në shumën 46 493 euro, duke rënduar koston e projektit me 150 262 euro (shih sërish: http://www.durreslajm.com/speciale/klsh-terminali-i-trageteve-projekti-150-mij%C3%AB-euro-mbi-kosto). Pikërisht ky administrator i “VEGA”-s së terminalit të trageteve ka krijuar EMC-në që ua shiti 4 ish-drejtuesve të portit. Zbulimi i prokurorisë dhe “kryqëzimi” i aktkontrolleve të KLSH-së u hap shumë telashe të paditurve.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





