10 mars 2015 – Policia italiane nëpërmjet operacionit antiprostitucion të quajtur “Alba Nostra 2”, shkatërroi një rrjet prostitucioni, që vepronte në rajonet e Lombardisë dhe Piemontit. Ky rrjet kishte rekrutuar dhjetra vajza nga Rumania, Moldavia, Shqipëria dhe Serbia për të punuar si prostituta në qytete të ndryshme të Italisë veriore.
Gjatë sezonit veror prostitutat madje transferoheshin drejt plazheve të bregdetit, me qëllim që të mos u shpëtonte klientela, që transferohej për pushime nga qytetet e mëdha drejt pikave turistike. Vajzat i nënshtroheshin dajakut, dhe shpeshherë kishte sherre të dhunshme për vendin në trotuar, ku ushtronin prostitucionin. Në një nga përgjimet e policisë italiane (shiko linkun) http://milano.repubblica.it/cronaca/2015/03/10/news/pavia_gestivano_un_racket_di_prostitute_straniere_40_arresti_in_italia_e_all_estero-109173359/ me zë dhe figurë jepet biseda e prostitutës shqiptare me emrin Mira me një nga tutorët italianë dhe me “kollovarin” (tutorin) e saj shqiptar Tanin. Në bisedë Mira proteston për dajakun, që ha herë pas here nga tutori. Pikërisht të tilla përgjime e rënduan pozitën e anëtarëve të bandës.
Në këtë operacion u prangosën 34 persona, që përfunduan në burg dhe 6 të tjerë, që morën masë sigurie arrest shtëpie. Ndër të arrestuarit kishte 23 rumunë, 8 shqiptarë, 5 italianë dhe 4 egjiptianë.
Kjo bandë nëpërmejt gjykimit të shkurtuar apo procedurës së gjykimit të drejtpërdrejtë u dënua me 96 vjet burg në total, pa përmendur këtu thuajse një çerek milioni euro gjoba dhënë nga gjykata si dënime plotësuese për anëtarët e bandës.
/Gj.Th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





