10 mars 2015 – Prokuroria e Krimeve të Rënda ka kërkuar dënimin me 5 vjet e 4 muaj burg për 28-vjeçarin Ermal Mrrukun, dhe 4 vjet burg për ish-efektiven e policisë së burgut të Vaqarrit, 28-vjeçaren Klodiana Drizën, të akuzuar për veprën penale “Shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie” në bashkëpunim.

Procesi në gjykatë ndaj këtyre dy personave u zhvillua me gjykim të shkurtuar, ndërsa janë hetuar me masën e sigurisë “arrest në burg”. Ata akuzohen se nëpërmjet kanosjes u kanë marrë dy personave shuma të konsiderueshme parash. Sipas hetimeve të kryera, e provuar edhe në gjykim, rezulton se kallëzuesit ishin njohur në kohë të ndryshme me ish-efektivën Driza dhe krijonin lidhje intime.

Megjithatë, siç u provua edhe gjatë gjykimit, në momente të caktuara, të kallëzuarve u paraqitej i pandehuri tjetër, Mrruku, i cili prezantohej si bashkëshorti i Drizës dhe u kërkonte para për faktin se e kishin ofenduar, duke krijuar lidhje intime me bashkëshorten e tij.  

Nga gjykimi, rezultoi se të pandehurit, me anë të kanosjes u kanë marrë kallëzuesve, shuma parash që arrijnë në mijëra euro si edhe disa objekte të paluajtshme si apartamente.  

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/