10 mars 2015 – Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta, i rrethuar prej një jave nga një ciklon akuzash bombastike, shantazhi dhe sulmesh të njëpasnjëshme, ashtu si në janar të vitit 2011, ka folur dje në mënyrë shteruese rreth akuzës së Tom Doshit, i cili pretendon se Meta ka porositur vrasjen e tij. Kreu i Kuvendit, i shquar për administrimin e situatave të tilla me qetësi dhe maturi politike, ka zbërthyer të gjithë historinë që ka tronditur politikën shqiptare. Meta ka deklaruar se gjithçka është një film dhe përrallë me versione të ndryshme, ndërsa ka pohuar se Sali Berisha ka tentuar ta përdorë këtë histori. Kreu i Kuvendit pohoi se gjithçka lidhet me një skenar të Sali Berishës, për të destabilizuar vendin, me qëllim për të ardhur në pushtet. Duke komentuar kërkesën e Bashës për të dhënë dorëheqjen, Meta pohoi se kryetarit me letra të PD do t’i hapet dosja e skandalit me rrugën Durrës-Kukës. Meta pohoi se kryetarët e bashkive dhe degëve të PD-së i kanë shkatërruar celularin me mesazhe kundër Berishës dhe Bashës.

-Deklarata e zotit Doshi është bërë në momentin e daljes nga mbledhja e Grupit Parlamentar të PS….

Pra, në momentin e përjashtimit nga grupi parlamentar, apo jo?

-Në ato momente që po kryhej përjashtimi.

Ishte kryer përjashtimi.

-Po….. Por ishte paralajmëruar katër ditë më parë nga zoti Doshi: “Unë kam deklarata që do të tronditin maxhorancën”. 

Për drejtoreshat e Tatimeve dhe të Doganave.

-Pretendimet e para ishin për to, por ditën e enjte ai bëri një deklaratë, ku tha: “Kur unë të flas, do të lëkunden themelet e maxhorancës”.

Nuk ka problem, pyetjen e bëra thjesht për të saktësuar kohën.

-Pra, a, ju po e lidhni deklaratën e Tom Doshit me momentin e largimit të tij?

Patjetër.

– Por rezulton që ai jua ka thënë sy më sy, z.Meta, faktin që kishte një informacion se ju ishit të përfshirë në vrasjen e tij. 

I bëra këto dy pyetje për një arsye, pra për të bërë të qartë se kemi të bëjmë me deklarata të karakterit politik, të bëra në momentin kur një deputet përjashtohet nga PS-ja, pasi disa ditë më parë kishte bërë disa deklarata të tjera, për histori drejtoreshash dhe ministrash, dhe pas një shantazhi që i ka bërë PS-së dhe Kryeministrit të vendit. Për sa i përket historisë së gjashtë muajve, unë më duket se e kam bërë të qartë në prononcimin e parë që kam dhënë pas këtyre deklaratave, ku kam thënë se i vetmi person në dijeninë time që më rezulton se ka bllokuar hetimin e kë- tyre akuzave është vetë deputeti Doshi dhe besoj se procesi do ta verifikojë këtë gjë.

– “Nuk më ka thirrur askush për të deponuar”, ka thënë deputeti Doshi në intervistën që ka dhënë ditën e enjte në “Top Story”.

Nuk kam ndër mend të merrem me komentet e deklaratave të deputetit, ai tashmë është një deputet i opozitës dhe mua nuk më takon të deklaroj deklaratat e një deputeti të opozitës. Unë mund t’ju them atë që di unë. Nuk ka rëndësi i opozitës, apo në opozitë. Një opozitë është.

-Ka qëndrim opozitar dhe ka opozitë zyrtare.

Është deputeti më i shquar aktualisht i opozitës.

-Çfarë do të thotë  “deputeti më i shquar i opozitës”?

Është pika e referencës kryesore të Doktorit dhe kuptohet që është më i shquari. A mund ta vazhdojmë?

-A ka ardhur Tom Doshi dhe ju ka kërkuar, z.Meta, që t’i sqaroni pozicionin tuaj në lidhje me një tentativë vrasjeje në drejtim të tij?

Së pari, mua nuk më ka ardhur fare Tom Doshi për këtë çështje, sepse nuk kishte asnjë arsye pse të më vinte, por unë kam marrë vesh rastësisht nga një person i njohur i imi, që ishte edhe i njohuri i zotërisë në fjalë, se bëhej fjalë për një tentativë vrasjeje.

-Cili ishte ky person?

Kjo nuk ka rëndësi, këto janë në dëshminë e dhënë në prokurori. Nuk do të marrim nëpër gojë persona, të cilët të paktën deri tani nuk janë marrë nëpër gojë. Ata që janë marrë edhe mund t’i marrim me lejen tuaj dhe me mirëkuptimin e tyre. Mua nuk më pëlqen të marr nëpër gojë njerëz… -Lejen time për të marrë nëpër gojë kë të doni e keni me pash.  Jo, jo, por unë personalisht nuk ia lejoj vetes. Ai person më ka thënë që është ky shqetësimi, sepse kanë dashur të vrasin Tomën. Çfarë është kjo histori? Ka qenë edhe një histori kështu! Më vjen keq që po përmend emra, ka qenë një gjë e bërë nga Berisha, kunati i Sali Berishës…Agim Rama, Agron Kuliqi, prokurori i Krimeve të Rënda, Eugen Beci, një Toni, e ku di unë tjetër, dhe këta kanë përmendur edhe emrin tënd si alibi, që gjoja për këtë çështje kemi edhe përkrahjen e zotit Meta, pasi personi që do të kryente aktin ka thënë “po sikur të na kapin” e ku di unë. Jam habitur me këtë gjë dhe menjëherë kam marrë në telefon Tomën, i cili e ka pasur telefonin të mbyllur atë ditë. Më pas kam marrë Mark Frrokun, meqë këta rrinin herë pas here bashkë, dhe e kam pyetur se ku është Toma. Më ka thënë se është aty dhe i kam kërkuar të ma kalojë pak në telefon. E kam pyetur se çfarë qe kjo histori dhe më është përgjigjur: “Lëre, lëre, se kam shpëtuar mirë! Kur të takohemi, do të të tregoj”.

-Kur ka ndodhur kjo?

Kjo ka ndodhur pasi ka filluar parlamenti. Duhet të ketë qenë mesi i shtatorit. Nuk e mbaj mend në mënyrë më të saktë. Historia që më ka treguar mua, sepse tani tregon një histori tjetër – me sa duket kemi disa video, video me xhup, me veshje verore, sipas stinëve, jo vetëm sezonale…

-Një herë për herë një herë, kemi vetëm një video të administruar nga prokuroria.

Ka pasur një video që atëherë.

–E keni parë?

Jo. Nuk kam pasur interes asnjëherë për ta parë, sepse më ka treguar kaq shumë Spartaku, sa më ka lodhur… Sigurisht, ishte diçka e rëndë: si mund të bëhej kjo gjë? Nuk e besova kur më thanë se ishin përfshirë këta persona. Aq më tepër Agim Rama, për të cilin kam dëgjuar fjalë shumë të mira, pavarësisht se nuk kam ndonjë njohje të drejtpërdrejtë. M’u duk diçka shumë e çuditshme. Ai po ma përshkruante me disa detaje, të cilat ishin të ngulitura…

-Ju bënë të dyshonit?

Më bënë të mendoj se si mund të kishte ndodhur vërtet kjo gjë. Kishte marrë makinën e blinduar, kishte shumë njerëz që e ruanin rreth e qark dhe dukej i tensionuar. Historia ishte kjo: ky personi, që ishte penduar, që nuk e di se si e kishte gjetur, i cili kishte marrë një këst etj., por e kishte kthyer mendjen rrugës, i kishte treguar se si kishte vajtur nëpërmjet këtij Tonit, i cili rrinte te lokali i përmendur, te Blloku… Më fal! Historinë që më ka treguar mua, ua ka treguar edhe shumë personave të tjerë zyrtarë… Në lokalin ku kishte vajtur personi që do të kryente vrasjen, Toni, që ishte si porositës, i kishte bërë bisedën atij, duke i thënë se çfarë do të bënin, me një çmim kaq apo aq, 200 apo 300, nuk e mbaj mend.

-500 mijë, thanë për kokën e okën e Tom Doshit, 100 mijë për kokën e Mhill Fufit.

Kjo 500 e 100 ka dalë vonë, sepse me sa di unë ishte nga 200-399, janë pak për një deputet, kështu që kërkonte 500… Sipas historisë që tregonte Toma në atë kohë, ua ka treguar edhe të tjerëve, personi kishte vajtur në një tavolinë tjetër, kishte folur me personin që quhej Agim Rama, gjithmonë sipas variantit të Tomës. Agron Kuliçi dhe Eugen Beci, ose ishin në tavolinë, ose ishin ngjitur, e kishin aprovuar që të rritet çmimi, nga 200-300 të shkojë në 500. Kështu fillon kjo histori, që shumë shpejt u kuptua se kishte mjaft probleme, por edhe trillime.

-Si u kuptua?

U kuptua, ndërsa janë dhënë disa sqarime…

-Ka një version që ka dhënë zoti Doshi ditën e enjte.

Ka dhënë disa versione.

-Pra, zoti Doshi jua ka thënë sy më sy, zoti Meta, që ju keni porositur Tonin për ta vrarë.

Ky është një nga 100 variantet që tregon zoti Tomë.

-Nuk është i vërtetë?

Ka spekulime të mëdha. Është e vërtetë se ditën që jemi takuar, së pari nuk kemi pasur kohë për të ndenjur katër orë, sepse kemi pasur edhe punë të tjera, së dyti, unë vërtet u shqetësova, kur po më tregonte se këto ngjarje po ndodhnin te një lokal afër shtëpisë sime, një lokal me emrin “Vivas”.

-A keni frikë nga Tom Doshi?

Unë kam frikë vetëm nga ligji, nga asnjë njeri. Nëse shkel ligjin do të thotë që nuk je në rregull.