9 mars 2015 – Ministri i Mjedisit Lefter Koka, paraditen e sotme ka zhvilluar një takim me Ambasadorin e SHBA-së Donald Lu, ku e nohu këtë të fundit me arritjet e deritanishme në fushën e mjedisit duke vënë theksin në realitetin e dikurshëm mjedisor dhe punën që është bërë për ta ndryshuar këtë realitet dhe për ta sjellë në qendër të vëmendjes.
 
Ministri Koka shpjegoi masat e marra që në fillim të mandatit qeverisës në përputhje me kushtet e caktuara në progresraportin e Bashkimit Europian dhe informoi Ambasadorin Lu mbi reformën administrative, duke ndarë menaxhimin nga kontrolli që ndikon drejtpërsëdrejti në frenimin e korrupsionit.
Në kuadër të kësaj reforme u krijuan Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Inspektoriati Shtetëror i Mjedisit, dhe së fundi Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, krijuar edhe  si një kërkesë e Bashkimit Europian dhe e donatorëve.
Ndërsa ambasadori Lu u shpreh se është i befasuar me suksesin e Moratoriumit te Gjuetisë, duke apeluar gjithashtu që të lihet një mjedis sa më i pastër për brezin të ri.
 
“Jam i surprizuar me suksesin e Moratoriumit te Gjuetisë. Keni një rini të mrekullueshme, lërini si trashëgimi një mjedis sa më të pastër”, është shprehur Ambasadori Donald Lu..
 
Ndërkohë që vetë ministri Lefter Koka ka shprehur vendosmërinë për të ndërtuar një politikë në shërbim të qytetarëve.
 
“Sollëm mjedisin në qendër të opinionit publik. Ne jemi një popull vital dhe punëtor, por politika e ka shfrytëzuar vendin për interesat e saj. Jemi te vendosur të ndërtojmë një politike në shërbim te qytetareve. Në bashkëpunim me Ministritë e linjës, po përgatisim një projektligj për ndotjen e shkaktuar nga makinat për të arritur standartet europiane”, ka deklaruar ministri Koka.
 
Ambasadori Lu u impresionua nga rezultatet e moratoriumit dhe punën e bërë gjatë një viti për të frenuar zhdukjen e faunës së egër në vendin tonë si pasojë e gjuetisë së pakontrolluar.
 
Në fund të takimit, ministri Koka i dhuroi  Ambasadorit Lu, botimin “Rikthimi i jetës – 1 vit moratorium i gjuetisë”, një përmbledhje e rezultateve të arritura deri më sot në fushën e faunës së egër si pasojë e vendosjes së Moratoriumit. 
/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/