9 mars 2015 – Duke u gdhirë e diela e 8 marsit Taulant Toma, 31 vjeç, u arrestua nga polica belge në rrugën Ernest Solvay të qytetit të Liezhit. Taulant Toma, ndonëse në moshë relativisht të re është kampion për arratisje nga burgu. Deri tani ai është arratisur dy herë nga dy burgje të ndryshme në Itali (burgu i Ternit dhe Burgu i Parmes), një herë nga një burg spanjoll dhe për herë të fundit u arratis në dhjetor 2013 nga burgu belg i Lantin-it. Taulant Toma në momentin e arrestimit këtë të diel mbante një pasaportë biometrike shqiptare (të falsifikuar nga sistemi) me emrin Admir Dednika. Policia belge ka marrë masa të pazakonta sigurie për të pamundësuar një tjetër arratisje të Tomës nga burgjet belge.
Në këtë histori arratisjesh të tërheq vëmendjen fakti se sa e zakontë është bërë kapja e personave në kërkim, me precedentë penalë me pasaporta biometrike shqiptare false, një pjesë e të cilave janë të prodhuara si të tilla nga sistemi. Do ishte me të vërtet me interes për policinë shqiptare për të zbuluar se në cilën zyrë të kocesionarit Aleat-Safran-Sagem, që prodhon pasaportat, ka aplikuar Toma, duke lënë në të shenjat e gishtave dhe gjurmën e retinës së syve. Me interes do ishte edhe identifikimi i nëpunëses së gjendjes civile, që ka lëshuar certifikatën e lindjes të falsifikuar, që e shndërroi Taulantin në Admir. Po ashtu do ishte interesante identifikimi i policit të rolit bazë, që bëri si të thuash vetimin për Taulantin-Admir, para se ai të merrte pasaportën biometrike etj.etj. Shpresojmë që Ministria e Brendshme, që ka në vartësi të saj si gjendjen civile edhe Policinë e Shtetit t’i japë përgjigje kureshtive të mësipërme, në të kundërt u mbetet gazetarëve investigativë shqiptarë ta hulumtojnë deri në ezaurim aferën e pasaportave biometrike shqiptare të prodhuara false nga sistemi. Kjo historia e pasaportave biometrike false është dukshëm më e rëndësishme sesa arrestimi i zhanvalzhanëve të mjerë, që në vend të dy cyrekëve bukë si ai i Viktor Hygosë vjedhin nga 3500 lekë energji elektrike. Të tilla pasaporta false janë kërcënim për sigurinë kombëtare të Shqipërisë dhe të aleatëve të saj euro-atlantikë, shumë fish më shumë edhe sesa ata shkelës ligji, që vunë bombë me celular te farmacia e babait të ministrit të Punëve të Brendshme, Tahiri.
http://www.rtl.be/videos/video/528718.aspx
/Gj. Th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





