9 mars 2015 – Një aksident i rëndë automobilistik me pasojë vdekjen e një personi dhe plagosjen e dhjetë të tjerëve ka ndodhur mëngjesin e sotëm në fshatin Çekrez të Gramshit.

Një autobus në të cilin udhëtonin mësues, nxënës dhe persona të tjerë, është përplasur me një automjet tip fuoristradë me targa ‘AA 875 CK’, dhe si rezultat i aksidentit raportohet se ka mbetur viktimë, Hysen Braçja, 55 vjeç, i cili ka qenë duke udhëtuar me fuoristradën. Nga të dhënat e para mësohet se autobusi transportonte nga Sulti drejt Skënderbegasit, mësuesit dhe disa nxënës të shkollave të kësaj komune, ku disa prej këtyre të fundit janë plagosur, por fatmirësisht ndodhen jashtë rrezikut për jetën.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur efektivët e policisë, të cilët kanë nisur hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit.

/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/