Durrës, 08 Mars 2015 –Ethet e fushatës elektorale kanë bërë, që pretendentët për të konkuruar për kreun e super-bashkisë Durrës të shfrytëzojnë cdo rast e mundësi për të qene prezentë në media.

 Rasti më i fundit ishte vënia e emrit Imzot Fan Noli të një rruge afër ndërtesës së kishës ortodokse në Durrës. Kryebashkiaku Dako për të gjithë përfaqësuesit lokalë të mediave kombëtare e rajonale dha një prononcim të shkurtër për vënien e emrit të Fan Nolit kësaj rruge. Normalisht Dako nuk harroi të theksonte kontributin e Nolit për Autoqefalinë e Kishës Ortodokse Shqiptare. Më pas Gorrea, që është vetshpallur si kandidat i së djathtës për Kryebashkiak të Durrësit dha një intervistë të shkurtër për Televizionin vendor AdriaNet (television, që në siglën e tij ka dy delfinë).

Në intervistën e shkurtër të z. Gorrea, pasi u fol për ortodoksinë, meshën në shqip të Fan Nolit etj.etj. u hodhën poshtë edhe insinuata të bëra në medie të ndryshme për një tërheqje të z. Gorrea nga gara brenda PD-së për kandidat për kryetar bashkie të Durrësit. Gorrea-Dako nëpërmjet sfondit me këmbanore katedraleje, me kamillftë priftërinjsh e me kryq peshkopi me shumë finesë po i dërgonin secili mesazhe “besnikërie”  elektoratit ortodoks durrsak.

/Gj.Th Agjencia e Lajmeve “DYRRAH”/