08 Mars 2015 –Një linjë e re karikuesish pa kabëll apo “Wireless” siç njihen ndryshe, është prezantuar nga rrjeti suedez i marketeve për pajisjet shtëpiake IKEA. Bëhet fjalë për pajisje shtëpiake, si tavolina, llampa apo koka krevatësh, të cilët do të kenë të inkorporuara këto tipe karikuesish, për telefonë, tableta apo aparatura të tjera me bateri. Sipas projektit të prezantuar të dielën në Kongresin e Botëror të Teknologjisë së aparatëve të lëvizshëm, janë rreth 80 lloje smartfonësh të modeleve të reja që i përshtaten teknologjisë së karikimit Wireless.
Kjo bëhet e mundur falë një shtrese të hollë magnetike, që krijon një fushë të vogël elektromagnetike dhe e shndërron në energji, për të furnizuar bateritë. Produktet pritet të hidhen në treg në prill. Çmimi i këtyre pajisjeve, që përmbajnë karikues Wireless arrin mesatarisht në 30€. Por dyshimet janë hedhur që tani, se shumë nga aparatët celularë të gjeneratës së fundit shfaqin probleme me këtë metodë karikimi, si mbinxehja. Madje në disa raste nuk karikohen fare.





