7 mars 2015 – Çanta blu me mbishkrimin “Mos Prek” e gjetur në një prej stolave te shatërvani pranë parkut “Rinia” në Tiranë, alarmoi policinë dhe krijoi shqetësim te qytetarët për gati 1 orë e gjysmë paraditen e sotme.
Rreth orës 08: 45 minuta u bë rrethimi i zonës dhe policia nisi evakuimin e saj, për shkak se ekzistonte mundësia për gjetjen e një sasie eksplozivi brenda çantës misterioze.
Por pas shpërthimit të kontrolluar nga forcat xheniere, rezultoi se në çantë nuk kishte lëndë eksplozive. Në çantë ishin dy objekte plastike dhe një libër i shkencave gjeologjike. Nuk dihet se kush është personi që e ka lënë çantën në një nga stolat e parkut Rinia. Për të mësuar këtë fakt policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë të zonës për të zbuluar personin që e braktisur çantën, ashtu sikurse pritet të mësohet nëse është pakujdesi apo braktisje e qëllimshme.
Fillimisht policia bëri ekzaminimin me infrared për të kuptuar se çfarë kishte në brendësi të çantës sportive të braktisur, ndërsa më tej u bë shpërthimi i kontrolluar i saj.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





