6 mars 2015 – Një indian 35 vjeç, i akuzuar për përdhunimin e një studenteje, është masakruar ditën e enjte nga një turmë njerëzish të cilët ishin tepër të inatosur.
Kjo ngjarje ka ndodhur në burgun e qytetit Dimapur, në verilindje të Indisë, ku një turmë e madhe njerëzish thyen dy portat kryesore të burgut dhe rrëmbyen 35-vjeçarin duke e zhveshur lakuriq dhe duke e goditur atë me gurë e shkopinj deri në vdekje.
“The Indian Express” shkruan se turma vendosi të bëjë vetëgjyqësi pasi i riu i cili akuzohej se kishte përdhunuar në mënyrë sistematike një studente, nuk ishte shpallur fajtor.
Kështu njerëzit e inatosur e tërhoqën atë zvarrë rreth katër kilometra nëpër rrugë. 35-vjeçari ishte një tregtar i makinave të përdorura, i cili akuzohej se kishte përdhunuar një studente të kolegjit të grave më 24 shkurt. I arrestuar që më 25 shkurt, ai ishte në pritje të gjyqit dhe me shumë gjasa do të shpallej i pafajshëm. Turma u përplas edhe me policinë, shumë prej të cilëve mbetën të plagosur.
Kjo ngjarje e tmerrshme vjen në një kohë kur në mesin e shoqërisë indiane është rritur ndjeshëm zemërimi ndaj dhunës seksuale në vend, e cila sa vjen e bëhet më masive.
/S.L. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





