5 mars 2015 – Në përfundim të seancës së sotme plenare në Kuvend, kryeministri Edi Rama u shpreh para gazetarëve se qytetarët duhet të dëgjojnë vetëm për punë, por fatkeqësisht në vend të kësaj janë të detyruar të dëgjojnë të gjitha rrjedhat e përroit psikik të ish-kryeministrit Sali Berisha, dhe gjithashtu i bëri apel Prokurorisë që të hetojë dhe të zbardhë të gjithë çështjen “Doshi”, të cilin ai e quajti një farsë.

“Kjo është një shfaqje shumë e trishtueshme, ku janë përfshirë një tufë politikejsh rrugeçërish që fatkeqësisht, të parët në mënyrë të verbër kujtojnë se përfitojnë nga të dytët dhe të dytët po aq verbërirsht duan të përfitojnë nga të parët, por kosotja është e shqiptarëve që nga parlamenti presin të dëgjojnë reformat dhe ligjet për të cilat ka nevojë procesi dhe modernizimi i vendit, ekonominë dhe janë të detyruar të dëgjojnë të gjitha rrjedhat e përroit psiqik të ish-kryeministrit.

E shpreh me keqardhje që Shqipëria nuk ka një opozitë, e cila e ka braktisur misionin e saj për të përfaqësuar zërin e qytetarit. Është kthyer në një opozitë që përfaqëson skutat më të errëta”, tha lideri i qeverisë.

Ish-kryeministri na tregoi sot hapur atë që në fakt ka qenë për të gjithë vitet e qeverisë së tij, standardin e tij. Një njeri në pushtet që i mbyll gojën prokurorisë, sot ka lënë pa përgjigje ‘21 Janarin’ dhe drama e skandaleve korruptive. Kemi një standard tjetër që është i shpallur dhe mbi të cilin jemi të vendosur të ecim para. Standardin e punëve të ndara. I takon drejtësisë e prokurorisë të zbardhë të vërtetën e kësaj farse që na turpëron të gjithëve sepse merreni me mend çfarë dëgjojnë dhe kuptojnë nga gjithë kjo marrëzi partenerët tanë ndërkombëtarë”.

Ndër të tjera, kryeministri u shpreh edhe në lidhje me qëndrimin e ministrit të Brendshëm një ditë më parë për skenarin e një vrasje të mundshme të deputetëve Doshi dhe Fufi, duke deklaruar se Tahiri nuk ngriti akuza, por thjesht çmontoi të gjithë këtë farsë e marrëzi që vetëm sa u shërben rrugaçëve që të përfitojnë. Sipas Ramës, transformimi i foltores në daulle për vallen e shpatave është një marrëzi dhe nuk është rruga drejt institucioneve.

/s.l. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/