5 mars 2015 – Gola të shumtë në "Zeqir Ymeri". Kukësi dhe Teuta e shndërruan në një sfidë tërheqëse për tifozët përballjen mes tyre, duke shënuar në total 7 gola, me rezultatin e përgjithshëm 5-2 për fomacionin e Artim Shaqirit, që me këtë trepikësh ruan vendin e parë në klasifikimin e përgjithshëm. Duhej të kalonin 20 minuta lojë për të parë rastin e parë të rrezikshëm të ndeshjes. Shkodrani Edon Hasani tentoi një goditje të kalibruar nga jashtë zonës, por topi përfundoi jashtë. 3 minuta më pas Bledian Rizvani i hoqi mundësinë e golit Pejicit, ndërsa në të 27 tentativa me kokë e Shametit rezultoi e thjeshtë për t'u kontrolluar nga Rizvani. Ende pa u mbushur gjysmë orë lojë, Pero Pejic humbi një rast të pabesueshëm përballë Rizvanit, edhe pse kishte kohën e mjaftueshme për ta përpunuar topin dhe për ta dërguar në rrjetë. Gjithsesi, goli erdhi dy minuta më pas, me protagonistë dy shtatlartët Shameti dhe Mallota, me qendërmbrojtësin që realizoi një gol të thjeshtë pas asistit të mesfushorit. Teuta u zgjua në fillim të pjesës së dytë teksa shndërroi në gol një goditje dytakimëshe pak metra larg portës së Halialjt. Ishte i riu Resul Kastrati që nuk i dha asnjë mundësi reagimi portierit të nënkampionëve të Shqipërisë. Por Kukësi u rikthye shumë shpejt në avantazh në minutën e 51, teksa Pero Pejic kërceu mbi të tjerët në zonë, për ta dërguar topin në krahun e majtë të portës së Rizvanit. Dominimi i Kukësit u shpërblye në të 54 me golin e tretë, që mban firmën e brazilianit Jefferson. Festivali i golave në "Zeqir Ymeri" vijojë në minutën e 60 me finalizimin e Shaqir Stafës, i cili u gjend në shtyllën e dytë pas krosimit të Kulit që edhe pse u devijua nga mbrojtja përfundoi në këmbët e futbollistit të Teutës. 7 minuta pas, braziliani Jefferson e pati fare të thjeshtë për të shënuar golin e katërt për Kukësin, finalizim që i dha qetësinë formacionit të Artim Shaqirit. Por verilindorët nuk do të ndaleshin me kaq. Në të 83 Pero Pejic, mori një top thuasje në vijën e mesfushës dhe pas përshkoi rreth 35 metra, përballë Rizvanit shënoi golin e dytë personal dhe të 5-tin për Kukësin në këtë sfidë, që u dha qetësinë e nevojshme verilindorëve pas dy barazimeve radhazi me Skënderbeun në Korcë dhe Apoloninë në Fier.
/agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





