5 mars 2015 – Forcat e policisë së qytetit të Durrësit, kanë arrestuar në flagrancë një shtetas 51-vjeçar, i akuzuar për tregtim dhe transportim të mallrave kontrabandë.
Arrestimi i Gani Selit, banues në Durrës, u bë i mundur pas një pune intensive disa javoe, në sajë të operacionit policor të koduar “Paketimi”, në drejtim të fenomenit të goditjes së kontabandës, shmangies së detyrimeve si dhe prodhimit të kundraligjshëm të mallrave industriale e ushqimore.
Gjatë një kontrolli ditën e djeshme rreth orës 19:00, në magazinën e tij në lagjen nr.3 në Durrës, dhe në furgonin tip Volksvagen, me targë ‘AA 681 BB’ të këtij shtetasi, u bllokuan në cilësinë e provës materiale këto mallra pa pullë fiskale të Ministrisë së Financës:
– 15 kuti kartoni me nga 6 shishe 750 ml, me etiketa me mbishkrimin ‘VRANAC’, me verë të kuqe, pa pullë fiskale.
-13 shishe konjak ‘Skënderbeu’ të madhësisë 500 ml, pa pullë fiskale.
– 5 shishe të madhësisë 1500 ml, verë e kuqe me mbishkrimin ‘SKOVIN’, pa pullë fiskale.
-10 shishe të madhësisë 750 ml, verë e bardhë me mbishkrimin ‘Alvera’, pa pullë fiskale.
-16.75 l konjak Skënderbeu pa pullë fiskale.
-Tre qese plasmasi me ngjyrë blu, të mbushura me nga 5 kg duhan rinfuso (të papaketuar) secila.
– 30 paketime plastike me ngjyrë të kuqe dhe gri, të madhësisë 1000 gr, me mbishkrime ‘AMIGOS Kaffe’, të mbushura me kafe kokërr të pjekur.
– Dy kuti kartoni të mbushura me qese me duhan me mbishkrime ‘TARABOSH’, pa pullë fiskale.
-10 shishe me mbishkrimin ‘GLAN PARTY’.
-10 bidona plastikë të madhësisë 1 l, me etiketë me mbishkrimin ‘FAIRY’.
-Një vulë metalike, me bisht të zi, me shkrime të stampuara në trupin e saj ‘GREAT WALL’, ‘MODEL 45’, ‘SHANGHAI CHINA’.
Gjithashtu, në magazinën e ketij shtetasi janë gjetur mallra të tjera ushqimore pa dokumentacion ligjor, të cilat i kanë kaluar për ndjekje administrative Drejtorisë Rajonale të Tatimeve Durrës, e cila ka kryer konfiskimin e të gjitha mallrave në këtë magazinë, me vlerë 3.000.000 lekë.
Ndërkohë, materialet e para hetimore i kanë kaluar Prokurorisë së Durrësit, për veprat penale: “Tregtim dhe transportim i mallrave që janë kontrabandë”, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Prodhim i kundraligjshëm i artikujve industrialë dhe ushqimorë“.
/s.l. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





