DURRËS, 4 mars 2015 – Vetëm për t’i shpëtuar nga përsëritja e ndryshkjes, 127 monedha argjendi antike të gjetura në Durrës vite më parë, janë zier 280 herë në ujë të distiluar gjatë procesit të restaurimit.
Një thesar prej 127 copë monedha argjendi, i zbuluar në Durrës disa vjet më parë, u gjet 4 metra nën tokë, njofton restauruesi më i madh shqiptar Prof. As.Dr. Frederik Stamati.
I lidhur me qytetin bregdetar edhe me fije sentimentale, Stamati, njeriu i famshëm i arkeologjisë shqiptare, thotë se radiografitë treguan që monedhat ishin futur në një kuti prej dërrase, mbi të cilën ishte vendosur një rrasë guri. Puna për ndarjen e monedhave nga blloku “konglomerat” zgjati dy javë. I gjithë trajtimi mori afërsisht pesë muaj. Vetëm për t’i stabilizuar nga përsëritja e korrodimit (ndryshkja), monedhat u zien 280 herë në ujë të distiluar, duke u shoqëruar me analizat përkatëse.
Stamati thotë se në thesar u gjetën edhe dy copë monedha të prera nga Aleksandri i Madh për nder të babait të tij, Filipit. Datohet i shek. IV per. Sot të gjitha monedhat e thesarit ruhen në një gjendje shumë të mirë.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





