3 mars 2015 –  Drejtoria e Antimafies së Kaltanisetës (Caltanisetta) në Sicili në bashkëpunim me policinë kreu 18 arrestime të anëtarëve të klanit mafioz San Cattaldo të  zonës së Nisenos, pjesë e Koza Nostrës siciliane. Ndër 18 të arrestuarit ka italianë dhe rumunë, përfshirë edhe kapon e klanit mafioz Antonio Domenico Cordaro, 50 vjeç, me pseudonimin “Martadela”.

Ndërmjet të arrestuarve është edhe durrsaku Elis Deda, 33 vjeç. Elisi për antimafien italiane është peshk i vogël,ushtar në shërbim të koskës mafioze të Koza Nostrës siciliane, ndërsa për Shqipërinë e sidomos për Durrësin dhe durrsakët, Elis Deda është VIP.

Zhdukja e tij në Itali me një sasi të konsiderueshme heroine me vete, vite më parë ishte një nga shkaqet, që përçau bandën e famshme të Lul Berishës.

Sebepi Deda, bëri që më vonë banda të ndahej në dy pjesë në armiqësi për vdekje me njëra – tjetrën. Kjo armiqësi pati si kosto disa të vrarë e të plagosur, në atentate të stilit mafioz. Arrstimi i Elis Dedës në Itali, mund të sjellë për kolegët shqiptarë të policisë italiane edhe informacione të reja, për aktivitetin kriminal të bandës së ashtuquajtur të Lul Berishës.

/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/