Rishikimi i procedurave për dhënien e lejeve, rinovimi i tyre, duke filluar nga institucionet shtetërore

Përvoja e Rojës Bregdetare të SHBA mund të zbatohet dhe në portin e Durrësit, pasi mjaft kuadro të institucioneve detare janë trajnuar në SHBA dhe në vende të BE-së 

DURRËS, 3 mars 2015 –  Një nga prioritetet kryesore në programin e drejtorit të ri të përgjithshëm ekzekutiv të Autoritetit Portual Durrës (APD) Gazmend Shalsi është rritja e nivelit të sigurisë në portin më të madh të vendit. Për këtë qëllim fundjavën e kaluar u zhvillua një takim i veçantë me drejtuesit dhe specialistët e sigurisë të institucioneve kryesore shtetërore që kanë lidhje me portin e Durrësit si Policia Kufitare dhe Migracionit, Forca e Sigurisë të Autoritetit Portual, Dogana, Administrata Detare, Antikontrabanda dhe Forca Detare. 

Gazmend Shalsi tha:

“Është kënaqësi për mua që takimin e parë si drejtues i APD-së, ta zhvilloj me përfaqësues të institucioneve shtetërore që zhvillojnë aktivitetin në portin e Durrësit, me të cilët kemi mjaft detyra të përbashkëta. Një nga këto është bashkëpunimi institucional për rritjen e nivelit të sigurisë në port. Këtë problem e bën më evident dhe zhvillimi i ngjarjeve brenda vendit dhe në nivel rajonal e global, ku kërcënimet e sigurisë dhe rreziku i terrorizmit janë reale. Në këto kushte rishikimi i masave të sigurisë në port merr rëndësi të dorës së parë. Theksin e vë në forcimin e regjimit e kërkesave për hyrje-daljet në port, duke filluar nga personeli i institucionit që unë drejtoj, të institucioneve të tjera bashkëpunuese si dhe të gjitha subjekteve privatë që operojnë në port. Për arsye të trafikut në akset e qytetit, vitet e mëparshme janë dhënë dhe leje kalimi brenda portit, por tashmë, përderisa kjo situatë po tejkalohet, ky problem duhet rishikuar”. 

Ndërkohë përfaqësuesit e institucioneve të tjera e vunë theksin te përmirësimi i bazës ligjore dhe krijimin e një databaze elektronike për të gjithë personat e mjetet që kalojnë në port, i cili do i shërbejë më së miri administrimit të problemeve të sigurisë. Në këtë çështje rol parësor ka Forca së Sigurisë në Port në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe Migracionit dhe organet e rendit. Të gjithë diskutuesit ishin dakord se qëllimi i takimit është forcimi i masave të sigurisë në port, për të parandaluar ngjarje, aktivitete kriminale apo fenomene negative, të cilat ulin kredibilitetin dhe performancën e portit të Durrësit. 

Në ndërhyrjen e tij Shalsi tha: 

“Natyrisht, forcimi i masave administrative dhe ligjore, nuk do të bllokojë, por do t’i shërbejë krijimit të një klime të shëndetshme për të gjithë bizneset, operatorët e portit e më gjerë. Porti i Durrësit ka qenë dhe mbetet një nyjë kryesore për transportin e pasagjerëve dhe mallrave jo vetëm në vendin tonë, por pesha e tij specifike po rritet në gjithë Ballkanin. Ndaj diskutimi, rishikimi dhe forcimi i masave të sigurisë do t’i shërbejë më së miri këtij transporti dhe ekonomisë së vendit. Ne do të evidentojmë cila masë ka qenë e mirë, kush është më e mira, cila masë është pozitive, për t’i dhënë frymëmarrjen e duhur sigurisë në port. Dhe në këtë mes Autoriteti Portual do të jetë urë lidhëse për të gjithë institucionet e tjera ligjzbatuese e ato të sigurisë. Analiza e rreziqeve të mundshme dhe specifikimi i lejeve për çdo zonë apo mol, ka rolin e vet në këtë çështje. Ndërkohë dhe Dokumenti i Strategjisë së Republikës së Shqipërisë përcakton mjaft masa dhe detyra konkrete për institucionet që operojnë në portet e vendit tonë, të cilat duhen detajuar rast pas rasti. Gjithashtu në takim u soll dhe përvoja e Rojës Bregdetare të SHBA për sigurinë në porte, e cila mund të zbatohet dhe në portin e Durrësit, pasi mjaft kuadro të institucioneve detare janë trajnuar në SHBA dhe në vende të BE-së. 

Gjatë këtyre viteve në portin e Durrësit janë bërë investime të rëndësishme në infrastrukturë, teknologji, por dhe në sistemet e vëzhgimit të portit, deri te kamerat e aparaturat digjitale, që tregon se porti i Durrësit i ka kapacitetet e duhura operacionale, për të plotësuar standardet e kërkuara të sigurisë nga partnerët tanë euroatlantikë”.

Në fund të takimit u la si detyrë rishikimi i planit të sigurisë, të procedurave për dhënien e lejeve, rinovimi i tyre, duke filluar nga institucionet shtetërore, bashkëpunimi ndërinstitucional përfshi institucionet e rendit dhe atyre  ligjzbatuese në qarkun e Durrësit. Në takimin e ardhshëm të komitetit të sigurisë së APD-së do të shihet konkretisht realizimi i detyrave e masave të përbashkëta të vendosura në këtë takim.

/red. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi Shefqet Kërcelli/