3 mars 2015 – Gazeta më e madhe e Malit të zi DAN, sot ka botuar një artikull të gazetarit të mirënjohur Marko Vesovic për trafikun e predhave të mortajava 120 mm nga Shqipëria drejt Jemenit në vitin 2011.
Predhat, në vend që të ngarkoheshin në anije në një nga portet shqiptare për të shkuar në Jemen, morën rrugën drejt Malit të zi me kamiona, për në Portin e Tivarit, që në atë kohë ishte inferior në çdo pikëpamje krahasuar me Portin e Durrësit. Në lojë hynë sekserë serbë si famëkeqi Sllobodan Tesic, emri i të cilit gjendet në listat e OKB-së të personave problematikë për thyerjen e Embargos së OKB-së vendosur Liberisë të presidentit të atëhershëm Carls Tejlër (Charles Taylor). Për të shkuar predhat e mortajave nga Shqipëria në Jemen, duhet të ngjiteshin deri në veri, në Mal të Zi. Më pas duhej të futej një firmë ndërmjetëse me pronarë serbë e regjistruar në Qipron greke e kështu me rradhë.
Historia përsëritet, si plot e plot raste të tjerë vetëm ndryshojnë emrat e ministrave ( në vend të Mediut është Imam ministri), ndryshojnë emrat e drejtorëve të MEICo-s (në vend të Pinarit është ing. Granit Leka) e kështu me radhë. Ky trafik i predhave të mortajave kalibër 120 mm, me transportuesin malazez B& G Trans, me anijen M/V ANA M është thjesht episodi i radhës me armë shqiptare e me sekserë serbë, sepse fatkeqësisht ne shqiptarët pa ndihmën vëllazërore të “specialistëve” serbë, nuk dimë as të importojmë, as të eksportojmë dhe as të tranzitojmë armë!
Durrës lajme iu drejtua me telefon dhe me e-mail Ambasadës së Malit të Zi në Tiranë, për të marrë edhe komentet e ambasadës për artikullin në fjalë.
Shkëlqesia e tij Ambasadori Dinosha u përgjigj me e-mail, që nuk ka asnjë informacion zyrtar për artikullin e sotëm (të së martës) të gazetës malazeze DAN, kështu që duke falenderuar gazetarin e Durrës lajme.com shprehu keqardhjen e tij, që nuk mund të ndihmojë me gjë tjetër. Ia vlen të theksohet se personeli i Ambasadës së Malit të Zi në Tiranë, me aftësi thuajse prej poligloti iu përgjigj në telefon me shumë kulturë, mirësjellje dhe diplomaci, interesimit të redaksisë së Durrës lajme.com për artikullin e Gazetës DAN.
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





