2 mars 2015 – Elton Doku,vetëm pak ditë më parë mbushi 35 vjeç. Ai mbeti i plagosur në këmbë, në një atentat të organizuar kundra tij në Leçe të Italisë, rreth orës 21:30 të së hënës, më 1 mars 2015.
Eltoni, ndonëse me kockën e fibias të thyer nga plumbi, u tërhoq zvarrë deri te ambulanca e ndihmës së shpejtë, ku pas një mjekimi paraprak të plagëve, u dërgua për t'u operuar në Spitalin Vito Fazzi të Leçes.
Telashet e Eltonit nuk kanë të sosur. Policia gjatë hetimeve të kryera për të gjetur atentatorët bëri disa kontrolle banesash, përfshirë edhe banesën e Elton Dokut. Në banesën e të plagosurit u gjetën 6 gramë heroinë në dy qeska plastike të vogla.
Gjatë kontrollit të makinës së Eltonit u gjet në kroskot një shumë e madhe eurosh. Shuma e saktë nuk bëhet e ditur për efekt të sekretit hetimor. Tashmë, policia beson se plagosja e Dokut është kryer në kuadrin e ndarjes së zonave të influencës së bandave, që merren me shpërndarjen e drogës. Për të evituar ndonjë përsëritje të atentatit Eltoni, ruhet me policë 24 orë në 24 orë në spitalin, ku i është nënshtruar mjekimit intensiv.
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





