Nga Gjergj Thanasi

DURRËS, 2 mars 2015 –  Deputeti Kokëdhima një nga deputetët më influentë të parlamentit shqiptar ka nisur një fushatë të ethshme për legalizimin e kultivimit të Kanabis Sativës në Shqipëri. Ai po tërheq në këtë fushatë edhe deputetë, që shkëlqejnë në parlament me memecllëkun e tyre, por që si matrapazë klasikë besojnë se duke u bashkuar rreth flamurit të Kokëdhimës, drejtoreshat dhe drejtorët zonjusha të Ramës do tua varin trastën ku e ku më shumë. Fushata pro-kanabis e deputetit Kokëdhima bazohet në dy shtylla kryesore.

Së pari, në vetitë mjekësore të kanabisit, sipas këtij Kocos kanabisi ndihmon në shërimin e 140 a 170 sëmundjeve të ndryshme. Pra kanabis ka dobi nga pikëpamja mjekësore, prandaj edhe ia vlen ta kultivojmë për ta eksportuar si lëndë të parë për firma farmaceutike të fuqishme perëndimore.

Argumenti i dytë për legalizimin e kultivimit të kanabisit është rritja e GDP-së së Shqipërisë. Me fjalë më të thjeshta, kultivimi i kanabisit është me leverdi të madhe ekonomike. Sa për këtë argumentin e dytë të deputetit Kokëdhima, nuk kemi të bëjmë me ndonjë risi, sepse edhe fshatari më i humbur nga Lazarati në Dukagjin e di mirë, se sa me leverdi është kultivimi i kanabisit.

Me këtë argumentin e dytë, z. Koço rrëzon të vetmin sukses madhor antikrim të Qeverisë Rama, çrrënjosjen e kanabisit nga Lazarati e deri diku, edhe fshatrat e Tepelenës, Dukagjinit, zona e Tropojës etj. Xhanëm, kjo nuk i takon lexuesit ta gjykojë sepse ka të bëjë me kompleksin e inferioritetit që Kreyministri Rama ka prej shumë kohësh ndaj deputetit Kokëdhima.

Në mënyrë modeste do t’i propozoja opinionit publik shqiptar, që në vend të propozimit Kokëdhima: legalizim të kultivimit të kanabisit, të përpiqej për legalizimin e lulëkuqes.

Nga lulëkuqja nxirret opiumi dhe prej tij përgatiten opiatet, ku përfshihen droga të tilla si p.sh.: heroina, por edhe preparate mjekësore si morfina, petidina etj..

Shumica dërrmuese e ilaçeve të quajtura “Pain Killers”, qetësues të dhembjeve kanë në përbërje të tyre substanca, që nxirren nga lulëkuqja latinisht: Papaver Somniferum.

Argumenti mjekësor i deputetit Kokëdhima është ku e ku më inferior, se argumenti im në favor të lulëkuqes dhe derivateve të saj nga opiumi e me radhë.

Përdorimi për qëllime mjekësore i substancave të nxjerra nga lulekuqja është shumë herë më i gjerë, se sa i substancave të nxjerra nga bima Cannabis Sativa (kërpi indian).

Argumenti i dytë për legalizimin e kultivimit të kanabisit është leverdia ekonomike. Po të jetë për të ashtuquajturën “cash Crop” d.m.th. bimë që sjell para, “specialistët” shqiptarë që merren si me shitjen e “barit” edhe me të “të kuqes”, normalisht janë në favor të lulëkuqes.

Nëse GDP-ja e Shqipërisë do të rritej dukshëm me legalizimin e mbjelljes së kanabisit, me legalizimin e kultivimit të lulëkuqes për prodhim opiumi dhe të derivative të tij (opiateve dhe jo vetëm) GDP-ja do të rritej disa herë më shumë se me kanabisin. Në këto kushte shqiptarët nuk kanë pse të adoptojnë masa gjysmake si propozimi i Koço deputetit, por me kurajo duhet t’i futeshin masivisht kultivimit të lulëkuqes. Meqenëse e kemi Kryeministrin ish piktor mund të shtoja si argument shtesë, që lulëkuqja nga pikëpamja estetike, qëndron shumë më lart se bima e Cannabis Sativa-s.

Nga pikëpamja e përfitimeve monetare kultivimi i bimës së kokës, në latinisht: Erythroxylum Cocado të ishte edhe më me leverdi se kultivimi i lulëkuqes, sepse çmimi i kokainës është disa herë më i lartë se i heroinës së prodhuar nga lulëkuqja. 

Fatkeqësisht, klima në Shqipëri nuk mundëson një kultivim të tillë.

Pasi provuam se dy argumentet e ofruara nga z. Kokëdhima për legalizimin e kultivimit të kanabisit  janë shumëfish inferiore, krahasuar me të njëjtat argumenta në favor të kultivimit të lulekuqes, mendojmë se Qeveria Rama do t’i kushtojë vëmendjen e duhur legalizimit dhe kultivimit të lulekuqes.

Normalisht, skeptikët dhe dashakeqësit e Shqipërisë dhe shqiptarëve do sjellin argumente kundra të tipit: heroina dëmton shëndetin, krijon vartësi etj.. Deputeti Kokëdhima nuk ka propozuar legalizimin e pirjes së “barit”, por vetëm legalizimin e kultivimit të bimës Cannabis Sativa për qëllimet e lartpërmenduara.

Unë në këtë shkrim propozoj legalizimin e kultivimit të bimës Papaver Somniferum-lulekuqes, po për të njëjat arsye, që kërkon z. Koco, jo të legalizimit të shitjes, apo eksportimit të heroinës drogë, që rafinohet nga rrëshira e prodhuar në bocet e lulekuqes.

Unë jam plotësisht i bindur, që z. Koço, i cili nuk pi as cigare nuk ka pasur në mend të legalizojë pirjen e hashashit apo eksportin e kanabisit për t'u pirë si hashash në vendet e perëndimit. Absolutisht jo !

Z. Koço, si ish sekretar rinie e shikon kanabisin si lëndë të parë për prodhim barnash, jo si lëndë helmuese për rininë shqiptare. Koçua si baba vajzash, që kurrë në jetën e tyre nuk kanë përdorur drogë, kurrsesi nuk mund të ketë qëllim, që të legalizojë shitjen e drogave për të helmuar trupin e mendjen e shqiptarëve, veçanërisht të të rinjve.

Deputeti Kokëdhima, që ka për zemër vetëm si t’i bëjë mirë Shqipërisë dhe shqiptarëve, kurrsesi nuk ka pasur në mend me propozimin e tij legalizimin e pirjes së kanabisit për të dëmtuar shëndetin dhe për të rrezikuar jetën e shqiptarëve. Pikërisht për këtë, edhe unë po e mbyll këtë shkrim me një apel për qeverinë Rama:

LEGALIZONI LULËKUQEN, JO KANABISIN!

P.S. 1

Z. Rama nuk duhet të ketë frikë të legalizojë lulëkuqen (qoftë edhe kanabisin e Kocos) as nga burokratët e Brukselit as nga inspektorët e DEA-s amerikane. Ka ikur koha e Gjeneral Noriegës. Shqipëria nuk është Panama, kështu që mund të legalizojmë kanabisin, lulekuqen (gjynah, që nuk na lejon klima edhe për bimën e Kokas), pa ia pasur frikën ndëshkimit.

P.S. 2

Ky shkrim nuk është satirizim i propozimit sa largpamës, aq edhe patriotik të deputetit Kokëdhima, por një sugjerim i sinqertë për Qeverinë Rama, që është në ditë të hallit për lekë, për të shkuar edhe më larg se propozimi i deputetit të nderuar Kokëdhima.