2 mars 2015 – Karabinierët e Fiorencuolës (Fiorenzuola), një qytezë afër Piacencës arrestuan mbrëmjen e së hënës më 1 mars 2015 dy grabitës të dhunëshëm shqiptarë: S.P. 35 vjeç, me precedentë të shumtë penalë për drogë dhe krime ndaj personit dhe H.A. 25 vjec. Karabinieria ka bërë publike fotot e dy të arrestuarve duke dhënë vetëm inicialet e emrave të tyre.
Dy shqiptarët ndaluan një makinë me 1 maroken, 18 vjeçar, një maqedonas, 21 vjeçar dhe një vajzë italiane, 20 vjeçare, me sebepin e një parakalimi të gabuar.
Duke i goditur me grushta (marokenit i thyen kockën e vetullës), duke i kërcënuar me pistoletë elektrike të maskuar si elektrik dore tentuan t'u grabisnin makinën dhe cantën e vajzës. Rezistenca e tre viktimave bëri që ata të mos grabisnin as makinën dhe as çantën, por pasi i bënë një foto targës së makinës i kërcënuan, që mos të bënin denoncim, se në të kundërt do t’i vrisnin. Tri viktimat e ndoqën në distancë, veturën e dy grabitësve, derisa ata hynë në një klub nate.
Më pas, viktimat dhanë alarmin. Katër makina të karabinierëve rrethuan klubin e natës, ku u arrestuan dy shqiptarët. Pistoleta elektrike u gjet në çantën e një zonjushe rumune, 28 vjeçare, e dashura e njërit prej shqiptarëve. Rumunia u kallëzua penalisht në gjendje të lirë, ndërsa dy grabitësit shqiptarë përfunduan në burg të arrestuar në kushtet e flagrancës.
/gj.th. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





