DURRËS, 2 mars 2015 – Sikurse njofton Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare (DRKK) Durrës në llogarinë e vet në rrjetin social Face Book, të dielën, më 1 mars 2015, në Pallatin e Kulturës “Aleksandër Moisiu” të qytetit të Durrësit u mbyll me sukses faza e dytë e përgatitjes për Festivalin Folklorik të Gjirokastrës.
Pas një jave udhëtimesh të grupit të punës nëpër njësitë e qeverisjes vendore të qarkut të Durrësit, që u përfshinë në këtë projekt, u përzgjodhën performancat më të mira, të cilat u përmblodhën, më 1 mars 2015, në një koncert përfundimtar. Në praninë e një komisioni nga Ministria e Kulturës, Instituti i Studimeve Albanologjike dhe Qendra e Veprimtarive Folklorike, u përfaqësuan bashkitë e Manzës, Shijakut, Krujës e Fushë-Krujës; si komuna e Rrashbullit dhe fshati Borakë i komunës së Xhafzotajt. Më pas nga komisioni u dhanë mendime dhe sugjerime për përzgjedhjen e numrave më të mirë përfaqësues, të cilët do të vazhdojnë provat gjatë fazës së tretë.
/përg. th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





