1 mars 2015 – Andi Lila do të rik thehet te Janina në fund të këtij sezoni. Lajmi bëhet i ditur nga mediat greke, sipas të cilave, mundësitë që shqiptari të vijojë të qëndrojë te Parma në Itali janë thuajse inekzistente. Kësisoj, kalimi i bujshëm i Lilës te klubi emilian në fillim të këtij viti po kthehet në një dështim, kjo natyrisht jo për faj të lojtarit. Parma është në prag të shpalljes së falimentimit financiar dhe, si e tillë, referuar rregullave, do të përfundojë në kategorinë e 4-t në Itali. Për këtë arsye, Lila do të jetë i detyruar që të kthehet tek ish-klubi, kjo edhe për faktin se Parma nuk ka paguar asnjë euro për kontratën e firmosur me klubin grek të Janinës.
Lila kaloi në formë huazimi te Parma në janar të këtij viti, kur klubi emilian sapo kaloi në pronësi të biznesmenit shqiptar, Rezart Taçi. Për këtë kalim, Janina do të përfitonte rreth 800 mijë euro, parà këto që do të kalonin në arkën e saj në fund të sezonit, pra në muajin qershor. Vetë Lila kishte rënë dakord për një kontratë 3.5 vite, për një rrogë te 450 mijë euro në vit. Ndërkohë, vetëm për t’u larguar nga Janina për te Parma, Andi Lila pranoi në janar që të mos merrte nga klubi grek rrogat e prapambetura (rreth 100 mijë euro). Teksa, nisur nga kriza që ka mbërthyer emilianët, lojtari me gjasa nuk do mund të marrë asnjë kacidhe as te Parma, pavarësisht kontratës që ka depozituar në federatën italiane. Referuar mediave greke, Parma duhet t’i paguajë edhe 470 mijë euro klubit të Panathinaikosit për kartonin e Sotiris Ninis, i cili ishte pjesë e italianëve një vit më parë, por më pas u rikthye në Greqi, sërish te Panathinaikos. Të gjelbërit e Athinës kanë konfirmuar së fundmi se do ta padisin Parmën në FIFA, por, nëse klubi emilian shpall falimentin, ashtu sikundër pritet të ndodhë, atëherë as Panathinaikosi nuk do mund të marrë asnjë euro nga Parma.





