1 mars 2015 – Një video e siguruar nga Ora News prej studentëve të grevës së urisë demonstron momentin kur policia ndërhyn për të nxjerrë nga ambientet e Fakultetit të Shkencave Mjekësore dhe Teknike.

Flitet për ndërhyrjen që është bërë rreth orës 02:00. Pamjet nuk janë mjaft të qarta, pasi është errësirë por duket momenti kur policia ndërhyn me forcë për të hapur derën e godinës e cila është me xhama.

Më pas dëgjohen dhe të thirrura “Çohu, çohu.. Shpejt shpejt.. vishni vishni”. Ka dhe disa britma vajzash.

Dëshmia e studentëve: Na dhunuan 

Një grup i vogël studentësh të cilët mbrëmjen e djeshme u përzunë forcërisht (siç deklarojnë ato) nga ambientet e Fakultetit të Shkencave Mjekësore dhe Teknike , sot paradite janë vendosur sërish para kësaj godine dhe shprehen të vendosur se do të rihyjnë në grevë urie derisa të gjejnë të drejtën e tyre.

Ata janë student që vijnë nga univerisitetet private të mbyllura nga ministria e Arsimit dhe kërkojnë uljen e tarifës vjetore të shkollimit.

Rreth orës 11: 00 disa studentë grevistë të vendosur para godinës së  Fakultetit të Shkencave Mjekësore dhe Teknike dhanë dëshmitë e tyre, sesi policia kishte ushtruar dhunë për ti nxjerrë nga godina e fakultetit.

Studenti: “Kanë hyrë me dhunë dhe janë futur dhe na kanë nxjerrë dhunë. Vajzat i kanë kapur për flokësh, djemtë i kanë tërhequr zvarrë. Na kanë futur nëpër makinat e policisë dhe na kanë shoqëruar për në komisariate. Mbrëmë përjetuam situatë terrori ne studentët të cilët nisëm një kauzë të drejtë për atë që na takon”

Ndërkohë prapa tyre policia po ruan ambientet.

Gjatë orëve të natës një pjesë e studentëve grevistë kanë marrë mjekim në spitalin e traumës.

Ata nuk kanë pranuar të flasin për gazetaret, por kanë treguar rrobat me pika gjaku dhe shenjat në trup.

Në spital, ata janë vizituar edhe nga përfaqësues të Partisë Demokratike që janë interesuar për shëndetin e studentëve.