DURRËS, 28 shkurt 2015 –  Ndonëse 82 vjeç, durrsaku tipik Bon (Meriban) Kadiu, nuk heq dorë nga tri gjëra në jetë: noti, humori i pashtershëm dhe “çapkënllëqet”, që e bëjnë të papërsëritshëm. Madje, edhe angazhimi i tij në politikë në fillim të viteve 1990, ndonëse Boni e kishte marrë seriozisht, është konsideruar një nga “numrat” e tij: mysliman, me grua ortodokse dhe përfundon në krye të demokristianëve! Ish-tekniku i famshëm i televizorëve, mbetet i paharruar për 38 medaljet që ka marrë në harkun e viteve 1948-1966, teksa është shpallur kampion kombëtar dhe rekordmen noti. Që nga viti 1998 është pjesëmarrës aktiv i të gjitha garave të veteranëve të ujit në vendin tonë, duke i shtuar edhe 20 kupa të tjera këndit të trofeve, një nga dhuratat më të bukura që ka marrë në jetën e tij.

Të premten, më 27 shkurt 2015, Shoqata e Veteranëve të Notit dhe Federata Shqiptare e Notit (FSHN) kanë nderuar Meriban Kadiun me dy tituj të tjerë. Veteranët e sportit kanë festuar së bashku me Meriban Kadiun. Prefekti i qarkut të Durrësit Rolant Xhelilaj i ka dorëzuar Çmimin e Karrierës. Presidenti i FSHN, Agim Çiraku i ka dorëzuar Çmimin e Notarit të Cilësisë së Lartë. 

Me këtë rast Bon Kadiu kishte ndërtuar një fotoekspozitë, ku ishin fiksuar gara dhe veprimtari noti gjatë viteve 1950-1970. 

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”. Kontribuoi g. k./