Nga Gjergj Thanasi

DURRËS, 28 shkurt 2015 –  Tashmë që po afrohet kufiri ligjor për caktimin e kandidatëve për zgjedhjet vendore të qershorit, kampet blu dhe mavi në Durrës po përpiqen për të përcaktuar madje edhe emrin e  kandidatit të kampit  kundërshtar, në mënyrë që t’i fitojnë zgjedhjet qyl.

Në partinë mavi, kryebashkiaku aktual Dako duket se e ka futur në xhep rikandidimin nga kryesocialisti Rama, kështu që krahas përgatitjeve për fushatën elektorale me propagandë dhe investime, ai po përpiqet të influencojë në PD, për t’i imponuar asaj madje edhe kë të kandidojë në Durrës. Përpjekjet e z. Dako që PD-ja të kandidonte kundër Dakos një figurë nga shoqëria civile, por të afërt me lobin e ndërtuesve pranë Kryebashkiakut Dako, dështuan para refuzimit Berisha-Basha. Më pas në bisedimet Dako-Bylykbashi pati përpjekje për të bindur dyshen Basha-Berisha, që të kandidonte Bylykbashin përballë Dakos, në mënyrë që Dako të fitonte thuajse qyl mandatin e tretë në Durrës.

Pas dështimit edhe të këtyre përpjekjeve, Kryebashkiaku Dako po nxit çdo tip, çdo mitoman në radhët e PD-së durrsake, çdo aventurier, që të kandidojë nën siglën e PD-së apo edhe si bicim i pavarur me qëllim që të përçahet vota djathtas gjithnjë në funksion të një mandati të tretë thuajse afrofe për Dakon në Durrës.

Përpjekjet për mandate qyl duke përçarë votën e djathtë kanë kaluar përtej kufijve të PD-së. Figura nr.2 në rang kombëtar i Partisë Fryma e Re Demokratike, durrsaku Oketa po ashtu po nxitet, që të kandidojë në emëmr të kësaj force për të ndarë votën e djathtë në Durrës. Synimi final është shndërrimi në një formalitet të rëndomtë marrjen e mandatit të tretë në Durrës nga Kryebashkiaku aktual Dako. Z. Oketa gëzon në Durrës një reputacion të lartë si njeri pozitiv, që nuk u bë pis me rryshfete e shpërdorime, ndonëse në poste të larta si ministër apo zv/kryeministër. Partia e z. Topi edhe në zonat rurale, që do jenë pjesë e Bashkisë së ardhshme të Durrësit, gëzon emër të mirë dhe mbështet në individë ish-deputetë e drejtorë të përgjithshëm, që kanë goxha reputacion dhe lidhje të forta miqësore e familjare me këto zona rurale.

Z. Dako ashtu si po nxit dhe sponsorizon çdo kandidaturë alternative djathtas është gjithnjë vigjilent për të mos lejuar daljen e kandidaturave majtas, jashtë formacionit të PS-së. Ai po përpiqet të neutralizojë që në start, çdo kandidaturë të mundshme të Frontit të Majtë, që bashkon disa parti komuniste apo të ekstremit të majtë.

Në kampin e djathtë, republikani Duka i mbështetur fuqimisht nga kryerepublikani Mediu po promovon fuqishëm kandidaturën e tij për në Durrës pranë VIP-ave të selisë blu. Ndonëse, deputeti Berisha duket se ende nuk e ka ndarë plotësisht mendjen për të kandiduar Dukën në Durrës, kemi përpjekje të pareshtura dhe të dyfishta të z. Duka.

Ai kërkon të bindë deputetin Berisha dhe familjarë të tij për të mbështetur kandidaturën Duka (si unifikues i të djathtës durrsake) njëkohësisht po përpiqet by hook or by crook siç thotë anglezi për të mos lejuar një rikandidim të Dakos, të clin e konsideron si pengesën më të madhe drejt kolltukut të kryebashkiakut të Durrësit. Pasi dështuan përpjekjet nëpërmjet të tretëve për ta kandisur Ramën të kandidojë në Durrës çdo figurë socialisti 24 karatësh si p.sh., atë të z.Bizhga ( ish kryetar i PS-së Durrës dhe 2 herë deputet i saj), Z. Duka po përpiqet ta pengojë kandidaturën Dako me mjete ekstra politike.

Me mençuri e prakticitet u adoptuan taktikat e përdorura nga kryeministri Rama për të neutralizuar “pashallarët “ në Fier, Gjirokastër, Berat, Peshkopi, Vlorë e Pogradec. Po përdoret prokuroria dhe PDja durrsake duke hapur cështje penale, vetëm e vetëm, që z. Dako të ketë pengesa ligjore, kuptohet artificiale për të kandiduar. Do jetë një kërshëri intelektuale për të parë sesa do ndikojnë argumentat e zarfit mbi Kryeprokurorin Dhalla, që ai të inkurajojë vartësit e vet në Durrës për të filluar hetimet për shpërdorim detyre ndaj Kryebashkiakut Dako. 

Deri tani kanë dështur përpjekjet majtas-djathtas për të përcaktuar kandidaturën kundërshtare në mënyrë që të fitojnë aforfe në Durrës. Me sa duket Durrësi do të jetë fushë-beteja më e ashpër elektorale këtë qershor. Z. Duka tashmë do të jetë i detyruar ta vendosë në rrethim”kështjellën” Dako, si Sulltan Murati Krujën rreth 500 vjet të shkuara. Mbetet për t'u parë nëse do bjerë ‘kalaja” Dako apo Duka i republikanëve do të dështojë njëlloj si përballë të ndjerit Olldashi në vitin 2005.

Shfrytëzojmë rastin për t'u uruar të dy kandidatëve: Jetofshi në kohëra interesante. Durrësi me siguri do kalojë javë interesante deri në ditën e zgjedhjeve prakticitet u adoptuan taktikat e përdorura nga kryeministri Rama për të neutralizuar “pashallarët “ në Fier, Gjirokastër, Berat, Peshkopi, Vlorë e Pogradec.