DURRËS, 26 shkurt 2015 – Zyra e Koordinatorit Kombëtar Antitrafikim (KRAT) në bashkëpunim me institucionin e Prefektit dhe Caritas-in Shqiptar, zhvilluan seminarin “Forcimi i kapaciteteve të strukturave shtetërore në mbrojtje të viktimave të trafikimit të personave”, njoftoi zyra e shtypit.
Ishin të pranishëm Prefekti i Qarkut Durrës Rolant Xhelilaj, zëvendësministrja e Punëve të Brendshme Elonë Gjebrea, përfaqësuese e CRS-së (Catholic Relief Services) në Shqipëri Karen Janes, Zyra e Koordinatorit Kombëtar Anti-Trafik Mimozë Qyra, përfaqësues të njësive të qeverisjes vendore, drejtues në nivel vendor dhe OJF të ndryshme.
Ky aktivitet zhvillohet në kuadër të projektit “Forcimi i kapaciteteve të strukturave shtetërore në mbrojtje të viktimave të trafikimit të personave”, financuar nga Zyra mbi Trafikimin e Personave (J-TIP) e Departamentit të Shtetit pranë Qeverisë së SHBA dhe CRS-ja, me qëllim rritjen dhe përmirësimin e bashkëpunimit ndërmjet organizmave të qeverisë dhe organizatave të shoqërisë civile, në identifikimin dhe referimin e viktimave të trafikimit, me fokus viktimat e mundshme të trafikimit. Objektivat e takimit ishin prezantimi i Strategjisë së Luftës kundër Trafikimit të Personave dhe Planit të Veprimit 2014-2017; përgatitja e planit rajonal anti-trafikim në përputhje me objektivat e Strategjisë Kombëtare; identifikimi dhe përcaktimi i detyrave dhe përgjegjësive të secilit institucion në zbatim të planit rajonal anti-trafik.
Gjatë fjalës së tij Prefekti Xhelilaj kërkoi nga të gjithë anëtarët e KRAT-it dhe Tryezës Teknike që gjatë vitit 2015 t’i kushtojmë një vëmendje më të madhe luftës ndaj këtij fenomeni, duke pasur një rol sa më aktiv menaxherial të rasteve në rrezik potencial trafikimi apo viktima të trafikimit. Referimi, trajtimi dhe ndjekja e tyre duhet të bëhet në mënyrë sa më eficente, që rastet e paraqitura në KRAT dhe Tryezën Teknike të mos kenë vetëm karakter formal ku raportohen shifra, por çdo institucion të ketë një rol sa më aktiv në parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të qenieve njerëzore deri në eliminimin e këtij fenomeni.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





