DURRËS, 26 shkurt 2015 – Portieri dhe kapiteni i Teutës Bledian Rizvani ka pohuar se ndaj Skënderbeut do hyjnë në fushë për ta fituar ndeshjen. Megjithatë, ai shton se edhe barazimi konsiderohet rezultat pozitiv. “Pas disa rezultateve negative, ketë fundjavë na pret një tjetër sfidë e fortë, teksa do të përballemi ndaj Skënderbeut. Ne duhet të jemi tejet të karikuar për këtë ndeshje, e cila është mjaft e rëndësishme për ecurinë tonë. Ndaj bardhekuqve duhet të futemi në fushë me ide të qarta, duke kërkuar tri pikët, por edhe për të mos e humbur ndeshjen. Personalisht, mendoj se pavarësisht renditjes, skuadrat kanë shanse të barabarta në këtë përballje. Teuta ka treguar se fiton edhe ndaj Skënderbeut dhe këtë e kemi bërë edhe më përpara, gjatë ndeshjeve që kemi luajtur me ta”. Duke vijuar më tej, Rizvani shton:
“Mendoj se kemi ecurinë më negative të këtyre sezoneve të fundit. Skuadra renditet në vendin e shtatë dhe lufton me Apoloninë dhe Elbasanin për mbijetesë, ndërkohë që gjatë dy sezoneve të fundit Teuta pretendonte titullin. Për këtë situatë, duhet të mbajmë përgjegjësi të gjithë ne si skuadër, duke u përpjekur për ta shlyer këtë gabim gjatë pjesës së mbetur të sezonit. Personalisht, jam i bindur se skuadra nuk do ta diskutojë mbijetesën. Mirëpo, nuk është kjo ajo që më mërzit, se nuk po arrijmë dot rezultate pozitive. Prandaj duhet të mbledhim të gjitha forcat dhe të shkarkojmë energjitë në përballjen me Skënderbeun, duke kërkuar rezultat pozitiv".





