DURRËS, 26 shkurt 2015 – Një skenë e ngjashme me atë të grabitjes së filialit të bankës pranë stacionit të trenit në Tiranë u shënua mëngjesin e së enjtes, 26 shkurt 2015, në filialin e postës shqiptare në Durrës. Dy persona të armatosur dhe të maskuar sulmuan automjetin që po transportonte para, duke tentuar të marrin shumën e lekëve që do t’u dorëzoheshin punonjësve të filialit të postës. Por grabitësit kanë hasur në rezistencën e rojave private, ku njëri prej tyre u godit dhe mbeti i plagosur.
Drejtoria e policisë së shtetit e qarkut Durrës njofton se dy persona të maskuar me skafandra (sipas rojës së plagosur, ishin tre) tentuan të grabisin makinë e Postës Shqiptare sha pranë filialit të postës në lagjen nr 6 të qytetit të Durrësit rreth orës 8:15-8:30 minuta të mëngjesit. Sipas policisë së Durrësit 2 personat e maskuar dhe me një motor të zi, tentuan të grabisin një furgon “Volkswagen” me targa AA 803BX, në pronësi të Postës Shqiptare. Ndërhyrja e rojës private me inicialet P. M. ka penguar grabitësit të realizojnë qëllimin.
DINAMIKA
Sapo dy punonjësit e sigurisë kanë zbritur nga furgoni ata janë sulmuar nga grabitësit, të cilët kanë hasur në rezistencën e rojave, duke u konfrontuar fizikisht. Një prej rojave është qëlluar në kokë më qytën e pistoletës nga grabitësit, ndërsa vetëm pak metra me larg godinës së postës ndodhet zyra e efektivëve të tjerë të sigurisë të kompanisë “Euro Gjici”, ku një nga punonjësit ka qëlluar me armë në ajër. Pas këtij momenti autorët janë larguar me një motor të zi që e kishin lënë disa metra larg vendit të ngjarjes. Një makinë e policisw është vënë në ndjekje të grabitësve. Pranë postës mbërritën edhe hetuesit që sekuestruan kamerat e sigurisë së bizneseve përreth, që mund të ndihmojnë në zbardhjen ngjarjes.
Roja i plagosur, që aktualisht ndodhet për mjekim në spitalin rajonal publik, tha se në rast të tilla, makinat e transportit të parave, duhet t’i shoqërojë edhe policia e shtetit.
Fotot: Mirësjellje e Mark Brungës.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





