DURRËS, 26 shkurt 2015 –  Të enjten, më 26 shkurt 2015, kryetari i PD-së Durrës z. Osman Stafa në një konferencë për shtyp deklaroi se PD-ja ka përgatitur një kallëzim penal për kryebashkiakun Vangjush Dako. Kallëzimi penal me akuzën shpërdorim detyre ka të bëjë me ndarjen e paradokohshme të banesave sociale në qytetin e Durrësit. Z. Osman u paraqiti medieve të pranishme në konferencën e shtypit video të pallatit, ku familjet kishin hyrë nëpër banesa ende pa u ndarë ato zyrtarisht.

Ai ofroi edhe dokumente, që, sipas tij, provojnë fajësinë e kryebashkiakut Dako. Pyetjes së agjencisë së lajmeve “Dyrrah” pse Stafa, si kryetar i PD-së Durrës, vepron si kundërshtari i tij politik Kryeministri Rama, i cili ka çuar për ndjekje penale ata kryebashkiakë blu e mavi që nuk hapin krahun si ai i Peshkopisë, Gjirokastrës apo ai i Fier-it i ndjekur penalisht po për banesat sociale, z. Stafa iu përgjigj me një apel për Kryeministrin Rama. Ai bëri thirrje që Rama mos të përdorë standarde të dyfishta, ndërsa çon për ndjekje penale kryebashkiakë, që i bëjnë hije atij duke ndjekur penalisht Baftjar Zeqon e Fierit për banesat sociale, ndërsa për të njëjtën vepër penale mbron Vangjush Dakon e Durrësit. Z. Stafa i kujtoi Kryeministrit Rama se në shtetin e së drejtës të gjithë janë të barabartë para ligjit dhe të gjithë duhet të japin llogari para ligjit si Flamur Bime në Gjirokastër edhe Vangjush Dako në Durrës.

Për të mbrojtur tezën e tij të shpërdorimit të detyrës nga kryebashkiaku Dako në ndarjen e banesave sociale, z. Stafa solli emra dhe shembuj konkretë për persona të privilegjuar dhe për të tjerë persona të diskriminuar nga z. Dako.

Mbetet për t’u parë nëse ky kallëzim penal i PD-së Durrës përfaqësuar nga z. Stafa do të jetë një pengesë e mjaftueshme legale për të mos lejuar rikandidimin e Vangjush Dakos në Durrës. Z. Stafa gjithsesi nguli këmbë që për PD-në durrsake Dako është kandidatura më e dobët e ofruar nga PS-ja, më e lehta për t’u mundur në zgjedhjet vendore. Ai tha se personalisht, pavarësisht nga kallëzimi penal, dëshironte që Dako të rikandidonte në Durrës dhe durrsakët me votën e tyre kundër ta ndëshkonin Vangjush Dakon për të këqijat dhe dëmet pa fund, që ai i ka shkaktuar qytetit të Durrësit. Kryedemokrati Safa shtoi se PD-ja Durrës është e gatshme të mundë çdo kandidaturë të mundshme të selisë mavi, qoftë edhe figura socialistësh të ndershëm e të papërlyer, që realisht ekzistojnë në radhët e PS-së Durrës.

/gj. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/