25 shkurt 2015 – Derbi Tirana – Partizani nuk do të luhet në "Qemal Stafa". Lajmi "bombë" konfirmohet nga Shoqëria Kuqezi që ka në administrim impiantin ndërkombëtar. Sipas drejtorit të stadiumit, Eduard Prodani, fusha e blertë e instaluar vetëm para pak javësh nuk është gati për t'u përuruar këtë të premte. Ekspertët e firmës greke që bënë të mundur shtrimin e tapetit nuk kanë dhënë miratimin që "Qemal Stafa" të hapë dyert që këtë fundjave, madje sipas tyre është në dyshim edhe ndeshjes e javës së 25 të Superiores mes Partizanit dhe Flamurtarit, pasi bari nuk është lidhur në parametrat e duhur me tokën.
Ky vendim surprizë ka vënë në alarm drejtuesit e FSHF-së dhe të dy klubeve kryeqytetase, që po negociojnë për të gjetur opsionin më të mirë të mundshëm për ditën, orën dhe vendin për zhvillimin e derbit. Në kryeqytet nuk ka asnjë impiant funksional për të pritur derbin, pasi "Selman Stërmasi" është shndërruar në kantier ndërtimi. Për koincidencë edhe Elbasan Arena nuk mund të hapë dyert për derbin, pasi po vijojnë punimet për shtrimin e pistës së tartanit. Për sa i përket Niko Dovanës së Durrësit në këtë stadium këtë fundjavë është programuar zhvillimi i ndeshjes mes Teutës dhe Skënderbeut.





